Ballina Lajme Rajoni Shutanovac: Vulin pengesë e anëtarësimit të Serbisë në NATO

Shutanovac: Vulin pengesë e anëtarësimit të Serbisë në NATO

Ish ministri i Mbrojtjes në qeverinë e Serbisë, Dragan Shutanovac, në konferencën për siguri, që po mbahet në Mal të Zi, deklaroi se Serbia është vend i vetëm në rajon që nuk është e gatshme të pranojë realitetin sa i përket anëtarësimit në NATO.

”Keni parë se çfarë ka deklaruar kryeministri Zaev, pothuajse është përfunduar marrëveshja mes Maqedonisë e Greqisë dhe presin ftesën për në NATO, ndërkohë që thuajse të gjitha vendet e rajonit janë në NATO, ose po shkojnë drejt kësaj Aleance, kështu që jemi rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s, ndërsa Serbia është vendi i vetëm në rajon që ende nuk është e gatshme të njohë realitetin. Jo vetëm në aspektin ekonomik por edhe në aspektin e sigurisë dhe të mbrojtjes jemi në bishtin e rajonit”, deklaroi Shutanovac, noftojnë mediet serbe.

Duke folur për rajonin, Shutanovac deklaroi se në kohën kur ai ishte ministër i Mbrojtjes në qeverinë e Serbisë, kishte për synim anëtarësimin në NATO, transmeton RTK.

Më tej, Shutanovac vlerësoi rolin e Aleksandar Vulin si ministër aktual i Mbrojtjes në qeverinë e Serbisë, i cili prej se ka nisur punën në këtë dikaster, raportet mes SHBA-së dhe Serbisë kanë filluar të ftohen dukshëm.

Ndërkaq duke folur për politikën e Jashtme të Serbisë, Shutanovac theksoi se ”qytetarët e Serbisë e duan Rusinë, por që do të dëshironin të jetonin në Perëndim”.