Personat me shikim të dëmtuar vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të shumta. Një nga problemet me të cilat ata ndeshen është edhe mënyra se si votojnë. Lëvizja për të verbrit dhe për personat me shikim të dobët  në Maqedoni, kërkojnë nga shteti që të sigurohen kushte më të mira për personat me shikim të dëmtuar.

Ema Ananievska thotë se askush nuk është kujtuar për personat me shikim të dëmtuar. Sipas saj, kushtet janë të këqija dhe se atyre rrallëkush u ndihmon.

“Kushtet janë të këqija. Miratohen strategji të ndryshme të cilat janë afatshkurtra dhe janë vetëm për në letër dhe për të fituar poenë politikë”, u shpreh Ema Ananievska, person me shikim të dëmtuar.

Nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor thonë se votuesit me shikim të dëmtuar do të votojnë të shoqëruar nga dikush tjetër. Thonë se janë duke përgatitur udhëzim për peronat e verbët që do t’u vijë në ndihmë gjatë votimit.

“Bëjmë gjithçka që është brenda mundësive tona që këtyre personave t’u ofrohet ndihma  adekuate gjatë aktit të votimit, por që me këtë rast, askush të mos ndikojë në vullnetin e tyre të votës”, tha Admir Shabani, Zëdhënës i KSHZ-së.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sqarojnë se nuk mund të përgatiten fletëvotime me alfabetin e Brajit sepse nuk dihet numri i  personave me shikim të dëmtuar në Listën Zgjedhore dhe shtojnë se numri i tyre është i ndryshueshëm.