Jahte luksoze, limuzina Mercedes të blinduara, resorte skish: Ndërkohë që populli i tij vuan për bukën e gojës, dikatori i Koresë së Veriut, 33-vjeçari Kim Jong-un bën një jetë luksoze.

Por ku i blen këto mallra luksi?

Vendi i tij është nën embargon e sanksioneve ndërkombëtare prej vitesh.

E qartë është që Kina luan një rol të rëndësishëm për Korenë e Veriut.

Sipas CNN, 85 përqind e mallrave të importuara në këtë vend vijnë nga Kina.

Kina pretendon se shet vetëm mallra që nuk janë në listën e sanksioneve, por ekspertët nuk janë të bindur.

Interesant është fakti se Kina e ka rritur ndjeshëm sasinë e mallrave që dërgon në Korenë e Veriut.

Vetëm për gjysmën e parë të këtij viti bëhet fjalë për 2.1 miliardë euro.

Por kush paguan për këtë stil luksoz jetese?

Jahti i diktatorit, një ‘Princess 95MY’ kushton të paktën 3 milionë euro.

Resorti i skive ‘Masikryong’ ka kushtuar mbi 30 milionë euro.

Ekspertët janë të mendimit se këto blerje luksoze financohen nga trafiqe të paligjshme ndërkombëtare.

Mes tyre bëhet fjalë për trafik droge, armësh, falsifikim parash, ndërhyrje kompjuterike, madje edhe shitje kafshësh të rralla.

Prej tyre diktatori fiton miliona dollarë.

Një raport i Kongresit Amerikan në vitin 2008 përllogariste se bëhet fjalë për deri në 1 miliard dollarë fitime.

Eksperti Robert Kelly thotë për Bild se një nga burimet kryesore të të ardhurave për vendin komunist është shitja e drogës.

Në Azinë Lindore dhe Juglindore, Koreja e Veriut mbetet një furnizues kryesor i drogave met dhe amfetaminë.

Një tjetër rol të rëndësishëm luan “Zyra 39”, një zyrë e fshehtë e themeluar në vitin 1974 për të financuar regjimin despotik.

Sipas një dezertori, kjo zyrë bën tregti çdo vit me Singaporin, për shembull për 300 mijë ton naftë ruse.

Sanksionet e OKB shmangen duke përdorur llogari bankare në emër të kontakteve ruse dhe kineze.

Koreja e Veriut bën biznes edhe me vendet afrikane.

Një raport i fundit tregon se vendi komunist u shet armatim vendeve afrikane si Kongo dhe Eritrea.

Namibia ka investuar të paktën 100 milionë dollarë në projekte koreano-veriore, mes tyre edhe një fabrikë municionesh.