Qytetarët nuk e kanë mirëpritur vendimin për pagesën e tarifës për Rrugën e Kombit.

Për çdo kalim me vetura, çmimi i tarifës do të jetë 5 euro, ndërsa 10 euro për autobusë e kamionë, raporton KTV.

Por qytetarët që kalojnë shpesh nëpër këtë rrugë nuk janë të pajtimit për këto pagesa. Një ndër arsyet që përmendin është mospërfundimi i autostradës. Kundërshtime për vënien e taksës për Rrugën e Kombit vijnë edhe nga bizneset. Faza testuese për pagesën e kësaj tarife ka nisur të dielën.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar zyrtarisht se do të ketë taksë rrugore për autostradën që lidh dy shtetet shqiptare.

Lekaj thotë se do t’i drejtohet homologut të tij, Damian Gjiknuri, për të kërkuar sqarime dhe për mundësinë për të ulur taksën. Të gjitha shtetet e rajonit aplikojnë taksën për autostrada, por me çmim më të ulët./Koha.net/