Si komunistët maqedonas i vrisnin komunistët shqiptarë?

Fatin e ngjashëm si të Hamdi Demës, i cili u vra, e patën edhe disa komunistë tjerë shqiptarë, si Abdullah Aliu – Krashnica, i cili vdiq në pranverën e vitit 1945 në rrethana të pasqaruara deri më sot, përkatësisht dyshohet se ai ishte helmuar nga shokët e tij komunistë maqedonas. Po kështu ndodhi edhe me njërin ndër përkrahësit e rrallë të LNÇM-së nga trevat e Kërçovës, Rexhë Rushit Zajazi, i cili u vra në rrethana ende të pasqaruara në rrugën Kërçovë-Gostivar etj.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Dihet mirëfilli se trevat lindore shqiptare (Maqedonia Perëndimore e sotme) gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk e mbështetën lëvizjen komuniste në përgjithësi, veçmas atë jugosllave, në kuadër të së cilës ishte edhe ajo maqedonase. Burimet arkivore hedhin dritë se deri në vitin 1943 në këto treva pati gjithsej 6 komunistë shqiptarë, edhe atë 2 në Dibër, 1 në Kërçovë, 1 në Tetovë dhe 2 në Kumanovë. Më vonë, përkatësisht pas marrëveshjes së arritur në korrik të vitit 1943 në Korçë, midis të deleguarit të KQ të PKJ-së, Svetozar Vukmanoviq – Tempo dhe përfaqësuesin e lartë të KQ të PKSH-së, Koçi Xoxe, në këto treva u dërguan disa komunistë shqiptar, si vëllezërit Agolli etj., të cilëve iu dha detyra që në mesin e popullsisë shqiptare të zhvillojnë agjitacion e propagandë, duke e lartësuar “luftën vëllazërore” midis komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë.

Për rrjedhojë, në vjeshtën e vitit 1943 Tempo dhe udhëheqja e PKM-së e themeloi Komitetin Krahinor të PKM-së për Pollog, Dibër, Rekë e Kërçovë, ku për kryetar të këtij komiteti u emërua Hamdi Dema, i cili njëkohësisht ishte edhe zëvendëskomandant i SHK të LNÇM-së. Në rrethana kur popullsia shqiptare qëndronte fuqishëm pranë Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e cila në programin e saj pati çlirimin dhe bashkimin kombëtar, Shtabi Kryesor i LNÇM-së, në Manifestin e lëshuar në tetor të vitit 1943, në pjesën drejtuar shqiptarëve shprehimisht thuhej: “Të mos u lejojmë okupatorëve gjakatarë gjermanë t’i përçajnë të dy popujt tanë të vëllazëruar. Të mos u lejojmë ta shkatërrojnë unitetin tonë luftarak dhe t’i ndajnë dy flamujt tanë – flamurin e Skënderbeut dhe flamurin e Republikës së Krushevës, që të bashkuar, korrën aq shumë fitore… Dijeni se pas kësaj lufte të gjithë popujt e Ballkanit do të vendosin vetë për fatin e vet.”.

Ndërkohë, në janar të vitit 1944 Komiteti Krahinor për Pollog, Dibër, Rekë e Kërçovë, për qëllime propaganduese, përkatësisht mashtruese, lëshoi një Thirrje, përmes së cilës ftoheshin shqiptarët dhe maqedonasit të luftojnë bashkërisht kundër okupatorit gjerman, ku ndër të tjerash thuhej: “A asht Tetova e maqedonasve ose e shqiptarëve, e kujt asht Kërçova etj., atë do ta zgjidhni Ju vehtë mbas lufte, kurrë s’do të jetë okupatori gjakatar dhe kurrë lirisht do të mundeni t’i shprehni dëshirat e veta dhe të kërkoni të drejtat e veta… Karta Atllantikut midis aleatve të mbëdhej ua siguron këtë të drejtë…”.

Në mbledhjen e parë të ASNOM-it, punimet e së cilës u mbajtën më 2 gusht 1944 në manastirin Prohor Pçinski, u miratua Deklarata për të drejtat themelore të qytetarëve të “Maqedonisë Demokratike”, ku në nenin 1 thuhej: “Të gjithë qytetarët e shtetit federal të Maqedonisë janë të njëjtë dhe të barabartë para ligjit, pa dallim kombësie, gjinie, race dhe besimi”. Përveç Deklaratës, në këtë mbledhje u soll edhe Manifesti, përmes të cilit ftoheshin të gjitha kombësitë në Maqedoni për t’iu bashkangjitur luftës antifashiste.

Si rrjedhojë e vendimeve të mësipërme, më 14 gusht të vitit 1944 në Kërçovë u formua aradha partizane shqiptare. Duke e pasur parasysh faktin se asaj së shpejti iu bashkëngjitën një numër i konsiderueshëm i vullnetarëve shqiptarë nga regjioni i Strugës, Dibrës dhe Kërçovës, më 26 gusht të vitit të njëjtë, në malet e Karaormanit nga kjo aradhë u formua Brigada IV shqiptare, e cila fillimisht numëronte rreth 450 luftëtarë, ndërsa me kalimin e kohës ky numër të shkojë deri në 5000. Më 7 janar të vitit 1945 Brigada mori emër tjetër – Brigada VII Sulmuese Shqiptare, e cila me 2.500 luftëtarët e saj mori pjesë në Frontin e Sremit.

Pasi u pushtuan të gjitha trevat shqiptare nga Struga e deri në Kumanovë, ku siç dihet njësitë komuniste maqedonase vranë e pushkatuan mijëra civilë të pafajshëm shqiptarë, dhjetëra mijëra të tjerë u arrestuan dhe u dërguan nëpër kampet e përqendrimit, me urdhër të KQ të PKM-së, në pjesën e parë të dhjetorit 1944 u arrestua zëvendëskomandanti i SHK të LNÇM-së, Hamdi i Dema, i cili disa ditë më vonë u vra nga roja e burgut të Prilepit, nën pretekst se ka dashur të “arratiset”.

Fatin e ngjashëm si të Hamdi Demës, i cili u vra, e patën edhe disa komunistë tjerë shqiptarë, si Abdullah Aliu – Krashnica, i cili vdiq në pranverën e vitit 1945 në rrethana të pasqaruara deri më sot, përkatësisht dyshohet se ai ishte helmuar nga shokët e tij komunistë maqedonas. Po kështu ndodhi edhe me njërin ndër përkrahësit e rrallë të LNÇM-së nga trevat e Kërçovës, Rexhë Rushit Zajazi, i cili u vra në rrethana ende të pasqaruara në rrugën Kërçovë-Gostivar etj.

Edhe pse shqiptarët, numerikisht, krahas maqedonasve përbënin elementin e dytë më të rëndësishëm në Republikën Federale të Maqedonisë, ata nuk u përfshin në mënyrë proporcionale në strukturat udhëheqëse të pushtetit. Kështu nga 22 anëtarë sa numëronte Presidiumi i ASNOM-it, vetëm një ishte shqiptar (Qemal Agolli), ndërsa prej 115 deputetëve të caktuar, shqiptarë ishin vetëm dy Qemal Agolli dhe Nafi Sulejmani. Ndër kohë, në mbledhjen e Presidiumit që u mbajt më 6 gusht 1944 në Presidium u kooptua edhe Abdulla Aliu. Përfaqësues i vetëm shqiptar në Qeverinë e parë të Maqedonisë Federale, e cila u zgjodh më 16 prill 1945, ishte Dr. Nexhat Agolli, i cili mori postin e ministrit të Shëndetësisë Sociale.

Kulminacionin e antishqiptarizmit udhëheqja komuniste maqedonase e arriti me Kushtetutën e parë, e cila u miratua më 31 dhjetor 1946, ku shqiptarët u emërtuan si pakicë nacionale, që përfshiheshin vetëm në një pikë, përkatësisht në Kreun III, neni 12, ku shprehimisht thuhej: “Pakicat nacionale në Republikën Popullore të Maqedonisë e gëzojnë të drejtën e mbrojtjen e zhvillimit kulturor dhe në përdorimin e lirë të gjuhës së tyre.”.

Pas burgosjeve masive të inteligjencës shqiptare dhe proceseve të shumta gjyqësore, të cilat u zhvilluan gjatë viteve 1945-1947, në të cilat mbi 100 intelektualë shqiptarë u dënuan me vuajtje të rënda dënimi, përfshi këtu edhe dënime me pushkatim, siç ishte rasti i dy intelektualëve dhe atdhetarëve shqiptarë nga Pollogu, Shuaip Kamberi e Kadri Saliu, të cilët në maj të vitit 1945 u dogjën për së gjalli në lumin Shkumbim të Tetovës, ose rasti i tre veprimtarëve të NDSH-së: Azem Marana, Hysni Rudi e Mehmet Bushi, të cilët më 19 maj 1947 u ekzekutuan në Kala të Shkupit nga Komisioni që udhëhiqej nga Reis Shaqiri, Byroja Politike e KQ të PKM-së, në mbledhjen e saj të mbajtur më 6 maj 1948 e shkarkoi Dr. Nexhat Agollin nga detyra ministër i Shëndetësisë Sociale dhe në vend të tij për ministër e emëroi Reis Shaqirin, i cili deri në atë kohë mbante postin e kryeshefit të UDB-së për qarkun e Shkupit. Përveç kësaj, në mbledhje u mor qëndrimi që Video Smilevski dhe Cvetko Uzonovski të kryejnë hetime ndaj veprimtarisë së Agollit. Për rrjedhojë, më 11 maj 1948, pasi Smilevski dhe Uzonovski raportuan për hetimet e kryera, Byroja Politike e KQ të PKM-së solli vendim me këtë përmbajtje: “Për shkak të paraqitjeve të shumta shoviniste nga ana e Nexhat Agollit, të cilat kanë për qëllim ta përmbysin vëllazërim-bashkimin e popullit maqedonas dhe pakicës shqiptare, te një pjesë e popullatës shqiptare të krijohet mosbesim ndaj pushtetit popullor dhe Partisë tonë, për shkak se me vetëdije i ka fshehur banditët ilegalë, për të cilët ai ka pasur njohuri se i kërkojnë organet e Pushtetit Popullor, që të përmirësohen para Gjyqit Popullor, Byroja e KQ të PKM-së, në mbledhjen e saj mbajtur me 6 maj 1948, ka sjellë vendim që Nexhat Agolli të shkarkohet nga funksioni Ministër i Shëndetësisë Sociale në Qeverinë e RPM-së dhe shokët Vidoje Smilevski dhe Cvetko Uzunovski të mbajnë hetime Partiake ndaj të gjitha atyre dukurive të dëmshme partiake të Nexhat Agollit. Duke e parë raportin e shokëve Vidoje Smilevski dhe Cvetko Uzunovski, të cilët i kanë kryer hetimet partiake ndaj Nexhat Agollit, Byroja Politike e KQ PKM-së, në tërësi i pranon konstatimet dhe propozimet që janë theksuar në raport dhe sjell vendim që Nexhat Agolli të përjashtohet prej PK-së”. Më pas, Nexhat Agolli arrestohet dhe në pranverë të vitit 1949, ngjashëm sikurse edhe Hamdi Dema, u vra nën pretekstin se ka dashur “të arratiset”. Ndërkohë, organet e UDB-së e burgosin edhe vëllain e tij, Qemal Agollin, i cili asaj kohe qëndronte me detyrë në Beograd. I njëjti u dënua me 15 vjet heqje lirie dhe u dërgua në burgun e famshëm në Goli Otok.

Burgosjes nuk do t’i shmangen as komunistët e tjerë shqiptarë, si: Sali Lisi, Shaip Mustafa, Jahja Osmani, Ahmet Pere, Qazim Duka, Shaban Horvati, Bari Ahmeti etj.

Në vendimin e shkallës së parë të Gjyqit të Qarkut të Shkupit, me të cilin udhëheqësi komunist shqiptar Sali Lisi u dënua me vdekje/ekzekutim, ndër të tjerash thuhej: “I akuzuari i parë Sali Lisi gjatë kohës së pushtimit armiqësor të vendit tonë në datë të papërcaktuar gjatë muajit maj 1944, pasi një kohë të caktuar qëndroi në territorin e lirë në Maqedoninë Perëndimore si pjesëtar i njësive partizane, në Gostivar, u fut në shërbimin e spiunazhit të shefit të Gestap-os Breger, dhe ka nënshkruar obligim të shkruar para kriminelit të luftës Xhemë Hasa. Komandat i formacionit ballist në territorin e Maqedonisë Perëndimore…etj”.

Ndërkohë, nën pretekstin e “zbatimit me konsekuencë” të njohjes së plotë së të drejtave kombëtare për çdo pakicë, udhëheqja e KQ të PKM-së vendosi që në Maqedoninë Perëndimore të hapen shkolla turke. Për realizimin sa më parë të këtij vendimi nga ana e KQ të PKM-së u formua një komision, të cilin e udhëhoqi Kërste Cërvenkovski, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Mito Temenugov, Reis Shaqiri, Boge Kuzmanoski, Tome Buklevski-Maçuli, Gjore Gjorevski dhe Allojz Pipan. Analiza, që rezultoi nga ky aksion dhe do të aprovohet pa asnjë kundërshtim, përfshinte 40 faqe, ndërsa ishte e ndarë në katër nëntituj kryesorë: 1) historiati dhe gjendja politike në mesin e popullatës shqiptare në Maqedoni; 2) çështja e arsimit; 3) çështja ekonomike dhe 3) çështja organizative. Në të ndër të tjerash vihej në pah se “pjesa dërmuese e popullatës myslimane në Maqedoninë Perëndimore është turke”, sidomos në: “Tetovë, Gostivar dhe Strugë”, dhe se “detyrimisht duhet të hapen në ato qytete shkolla turke.”

Ky dokument u shqyrtua në mbledhjen e zgjeruar të Byrosë Politike të KQ të PKM-së, e cila u mbajt më 29 shkurt 1952, në të cilën krahas anëtarëve të Byrosë morën pjesë edhe përfaqësuesit e UDB-së për pjesën e Maqedonisë Perëndimore, si Arizon Nestorovski – Marçe, Elisie Popovski etj., të cilët nuk e fshehën antishqiptarizmin e tyre. Kështu Arizon Nestorovski – Marçe, duke e përshkruar gjendjen e sigurisë në Pollog, ndër të tjerash akuzoi anëtarin e Byrosë së Komitetit Komunal të LKM-së-Tetovë, Qemal Hajrullau, i cili – siç vë në dukje – “përkundër kërkesës sonë që të deklarohet turk” ai këtë jo që nuk e bëri, porse të nesërmit alarmoi opinionin e Tetovës se “udhëheqja maqedonase po bën presion ndaj përfaqësuesve shqiptarë për turqizimin e tyre”. Edhe më i ashpër ishte fjalimi i Elisie Popovskit, i cili kërkoi masa të rrepta kundër – siç do shprehet – “irredentistëve shqiptarë”, të cilët “i durojmë që nga viti 1943”. Për rrjedhojë, Qemal Hajrullau u përjashtua nga anëtarësia e LKJ-së. Më vonë, përkatësisht në vjeshtën e atij viti, u arrestua ministri i Drejtësisë së Qeverisë së RP të Maqedonisë, Xhaferr Kodra, i cili u dërgua ta vuajë dënimin e rëndë në burgun e Goli Otokit.

Për sa u tha më sipër, mund të arrihet konkluzioni se të gjitha premtimet që udhëheqja komuniste maqedonase, të dhëna gjatë periudhës 1943-1944, nuk përbënin asgjë tjetër, përveçse një propagandë të rrejshme, e cila për qëllim pati përçarjen e popullsisë shqiptare, e më pas zbatimin e politikës terrorizuese ndaj saj. Këtë e kishin kuptuar shumë herët intelektualët e atdhetarët shqiptarë, siç ishin: Gajur Deralla, Shuaip Kamberi, Kadri Saliu, Remzi Shaqir Beu, Murat Labënishti, Shemsi Hatipi, Dr. Xhafer Sulejmani, Baba Qazimi, Xhemë Gostivari, Sulë Hotla, Azem Marana, kapiden Hysni Rudi, Mehmet Bushi, Mahmut Dumani, Jonuz Balla, Mulla Dulla i Hotlës, Hajdar Efendiu, Shaban Efendiu, Fetah Efendiu, Xhemal Efendiu, Ferat Efendiu, Mehmet Efendiu, Garip Efeniu, Abdullah ef. Abdullau e shumë e shumë të tjerë, të cilët për shkak qëndrimeve të tyre atdhetare ose u pushkatuan ose u vranë pa proces gjyqësor ose u dënuan me dënime të rënda nga regjimi i atëhershëm komunist maqedonas.

Mirëpo, për fatin tonë të keq, këtë propagandë të rrejshme, jo që nuk e kuptuan komunistët shqiptarë, por madje një pjesë e tyre me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në proceset gjyqësore kundër inteligjencës shqiptare (Qemal Agolli gjatë viteve 1945-1946 ishte Prokuror i Përgjithshëm i RP të Maqedonisë, etj.) u bënë bashkëfajtor me komunistët maqedonas për krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare në përgjithësi, veçmas ndaj inteligjencës shqiptare.