Si një histori filmi/ Ishte në sallë si spektator, shqiptari bëhet shpëtimtari i legjendës Del Bosque

Një histori filmi dhe krejtësisht e rastësishme duket ajo e Faton Zylbeharit, që ka rezultuar si shpëtimtari dhe përkëthyesi i trajnerit të njohur në botë, Vicente Del Bosque. Tekniku që ka fituar tituj si kampion i Botës dhe Europës me Spanjën, por edhe shumë trofe gjatë karrierës së tij, ishte duke mbajtur ligjeratë për gjithçka ka kaluar në Shkup, e më saktësisht në Universitetin FON.

Si një spektator i thjeshtë gjendej në sallë edhe zyrtari për media i Shkëndijës së Tetovës, që kishte ardhur për të dëgjuar disa leksione, por që do të merrte rolin e protagonistit. Teksa konferenca po vazhdonte me pyetjet nga salla, ku gjendeshin trajnerë, gazetarë, profesorë dhe personalitete të njohura, përkëthimi që po i bëhej nuk ishte i saktë.

Këtë punë ishte duke e bërë një femër e cila dukshëm shfaqi gabime dhe ngatërrohej me terminologjinë sportive. Në hall të madh se misioni nuk po përmbushej me sukses, sidomos në raste të tilla të pazakonta ku trajner si Del Bosque vijnë rrallëherë në Maqedoninë e Veriut, dikush prej organizatorëve ka thirrur emrin e Faton Zylbeharit në sallë, që të afrohej në skenë.

Kjo pasi zyrtari shqiptar e njeh më së miri edhe gjuhën spanjishte. Del Bosque ka mbetur disi i habitur nga ajo që po ndodhte në skenë duke u hutuar disi, por ka qenë edhe po aq falenderues që konferenca u mbyll me sukses pas përkëthimit perfekt të Zylbeharit. /Sport Ekspres/

SHPËRNDAJE