Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, nuk e mori masën më të ashpër për sigurim. Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Shkupi 1, vendosi që të akuzuarit Gruevksi, të mos i shqiptoj masë paraburgimi ashtu siç kërkonte Prokuroria Speciale Publike (PSP), por ia mori pasaportën dhe i dha obligim që çdo javë të paraqitet në Gjykatë. Gruevski nuk është në qeli, por është i burgosur në Maqedoni dhe nuk guxon që ta lëshojë, njofton Portalb.mk.

Gruevski nuk ka deklaruar asgjë pas marrjes së pasaportës. Ai dje pasdite vetëm publikoi njëvideo të shkrutër nga takimi me ndërmjetësuesin e OKB-së për çështjen e emrit, Methju Nimic.

Ish kryeministri i cili taniështë deputet, nga paraburgimi eventual e mbron imuniteti. Ai më 30 qershor, ditën kur PSP ngriti akuzë për rastin “Titanik”, ka dorëzuar kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetit. Arsyeja për këtë hap ka qenë që t’i ikë llogaridhënies, por porosinë që u përpoq t’ua dërgojë të afërmve është se “nuk frikësohet nga paraburgimi dhe nuk do të fshihet pas privilegjit të deputetit”. Megjithatë, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, arsyetoi se deputeti nuk mundet që të heq dorë nga imuniteti me dëshirë, por vetëm me kërkesë të Gjykatës.

Gjykata Penale nuk i ka shqiptuar masë paraburgimi, as ish ministres së MPB-së, Gordana Jankulloska, ish ministrit të Transportit, Mile Janakieski, ish sekretarin e Qeverisë, Kiril Bozhinovski dhe ish këshilltarin e Gruevskit, Martin Protogjer, të akuzuar nga PSP për rastin “Titanik 1”, por vendosi që vetëm t’ua marrë dokumentet e udhëtimit. Pa pasaportë do të ngelet edhe Ilija DImovski i VMRO-DPMNE-së dhe tre persona tjerë. Me këtë, numri i marrjes së pasaportave nga aja e Gjykatës për 17 akuzat e ngritura nga PSP gjithsej është 38.

Lufta juridike vazhdon: PSP dhe të akuzuarit paralajmëruan ankesë

Pas miratimit të vendimeve, Gjykata e informoi MPB-në se ka miratuar vendim për marrjen e dokumenteve të udhëtimit, ndërkaq policia personat në fjalë i vendos në sistem, për të parandaluar ikjen e tyre, gjegjësisht daljen jashtë kufijve të shtetit. Një pjesë nga të akuzuarit kanë edhe pasaporta diplomatike, por edhe atyre do t’u merren. Të gjithë të akuzuarit të cilët janë të përfshirë në masat që i ka shqiptuar Gjykata, kanë të drejtë ankese. Ankesa ka paralajmëruar edhe PSP edhe të akuzuarit.

Ankesat mund të dorëzohen në afat prej 72 orëve nga miratimi i vendimit, deri te Gjykata e Apelit, e cila ka afat prej dy ditëve nga pranimi i ankesës që të deklarohet se e pranon ose jo të njëjtën.

Gjykata Penale “departament për pasaporta”

Vendimi për Gruevskin në ueb-faqen e internetit të Gjykatës Penale u publikuar madje 16 orë pas skadimit të afatit për miratim të vendimit. Tërë ditën faqja nuk kishte qasje, ndërkaq për mediat nuk ishte i kapshëm as u.d. kryetari i Gjykatës Penale, Stojançe Ribarev, përcjellë Portalb.

Pak përpara se të kumtohet vendimi i Gruevskit dhe të akuzuarve të tjerë për rastin “Titanik 1”, Ribarev i ka ftuar në kolegjium të gjithë gjykatësit dhe u ka treguar se ka bërë orar të ri vjetor. Me këtë orar, i cili do të jetë në fuqi vetëm në kohë të pushimeve, Ribarev, i ka kthyer në vendet e vjetra të punës gjykatësit që më parë i ka larguar nga lëndët e Prokurorisë Speciale. Gjegjësisht, Ribarev, gjatë kohës së pushimit veror, kur gjykatësit në mënyrë kolektive shkojnë në pushim, në Departamentin Penal i ka kthyer të gjithë gjykatësit e vjetër, të cilët më parë i dërgoi në Departamentin për Kallëzim Penal ose në Departamentin ku gjykohen lëndët më të vjetra, transmeton “Faktor“.

“Nga Gjykata mohojnë se orari i ri i gjykatësve ka qenë i lidhur me Prokurorinë Speciale”.

Nga ana e PSP-së gjatë 29.06.2017 dhe mbrëmjen e 30.06.2017 deri te Gjykata penale kanë qenë të dorëzuara gjithsej 6 akuza prej të cilëve 5 kanë qenë propozim për shqiptim të masave të sigurisë dhe masave të kujdesit për 13 persona. Në Departamentin për Krim të Organizuar dhe Korrupsion janë dorëzuar gjithsej 11 akuza prej të cilëve, për 10 është propozuar masa e paraburgimit dhe për 54 të tjerë masa të kujdesit.

Asnjë nga të akuzuarit nuk është paraburgosur.