Që prej zgjedhjes së Donald Trump, në Europë janë shtuar pasiguritë në lidhje me të ardhmen e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, sidomos në fushën ushtarake në kuadër të NATO-s.

E për të mos u varur krejtësisht nga Uashingtoni, kancelarja gjermane Angela Merkel u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të BE-së që të rrisin shpenzimet ushtarake në fushën e mbrotjes.

“Të mos gënjejmë veten më. Nga partnerët tanë tradicionalë, e kam fjalën për lidhjet transatlantike mbërrijnë sinjale që nuk japin garanci për vazhdimësi të bashkëpunimit të ngushtë në fushën e sigurisë, ndaj ne duhet të punojmë vetë mbi këtë”, tha Merkel.

Merkel nuk përmendi me emër Donald Trump, por qartësisht la të kuptohej se u referohej deklaratave të bëra në fushatë nga Presidenti i zgjedhur, i cili përsëriti vazhdimisht se do të kushtëzonte ndihmën amerikane ndaj një vendi anëtar në NATO me kontributin e dhënë në Aleancë.

“I qëndroj bindjes time që Europa në përgjithësi dhe vendet e Bashkimit Europian në veçanti duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe të luajnë një rol më të madh në politikat globale, për të ardhmen globale”, tha Merkel para një grupi studentësh në Universitetin e Leuven në Belgjikë.