Kandidatja për presidente e mbështetur nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova ka vizituar sot Shtabin zgjedhor të kandidatit të partive në pushtet, Stevo Pendarovski. E shoqëruar nga anëtarët e ngushtë të Shtabit të saj, Siljanovska ka qëndruar për disa minuta edhe në Shtabin e Pendarovskit, pas vizitës që ditë më parë i bëri edhe Shtabit të kandidatit shqiptar për president Blerim Reka.

Megjithatë, ndryshe nga Siljanovska-Davkova dhe Pendarovski, ishte Reka ai që gati në përfundim të fushatës parazgjedhore, u kishte bërë ftesë dy kundërkandidatëve për kafe të përbashkët në Shtabin e tij.

“Ne finishin e garës presidenciale, Shtabi REKA filloi iniciativën për t’i ftuar dy kundërkandidatët në kafe në shtabin tonë. Sot shtabin REKA e vizitoi kandidatja e VMRO-DPMNE-së. Shpresojmë që këtyre ditëve do të na vizitojë edhe kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski. E tërë kjo për të dëshmuar se deri në fund do të udhëheqim fushatë të drejtë dhe fer”, shkruante profili zyrtar i kandidatit Reka, ftesë kjo që u këqpërdor nga mbështetësit e Pendarovskit, duke e akuzuar Rekën se ka “marrëveshje” me VMRO-në.

“Ekskluzive? Tash çfarë do të shkruajnë portalet?!”, shkruajnë mbështetësit e Rekës, ndërsa shënimin e kanë shoqëruar me fotografinë e Siljanovka-Davkovës te Shtabi i Pendarovskit.