Kandidatja për presidente Gordana Siljanovska-Davkova sot ka reaguar ndaj aktgjykimit për ngjarjet e “27 prillit”, ku tha se njeriu i cili hapi dyert e Kuvendit shëtit lirshëm.

“Në datat e errëta të historinë së re të Maqedonisë, 27 prilli do të mbahet mend për skenat e dhunës. Ne ishim të gjithë të tronditur dhe të shqetësuar. Sot të gjithë të gjykuarit, lidhur me këto ngjarje janë vetëm një finale e një procesi të gjatë, i cili tregoi se gjyqësia, e drejta dhe drejtësia është e politizuar. Në vend të një procesi të drejtë, shikuam një proces i cili la njolla të errëta në drejtësi, skena të trajtimit të padrejtë e të akuzuarve, paraburgim si të dënuar, pazare për të siguruar shumicën në Kuvend, dhe më në fund sot, dënimet drakoniane”, tha Siljanovska.

Siljanovska tha se të gjykuarit do të kërkojnë drejtësinë para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

“Njeriu i cili hapi derën e Kuvendit, i kapur nga kamerat, shëtit si njeri i lirshëm. Në hijen e atyre që kërkuan amnisti, por asnjëherë nuk do të harrojnë atë që kanë shfaqur”, tha Siljanovska.

Sot Gjykata Penale dënoi me 211 vjet burg 16 të akuzuarit, për shkak se kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e dhunshme më 27 prill të vitit 2017.