I ftuar në emisionin “M’fal për shprehjen” të Elvis Pupës, Sinan Hoxha ka treguar disa episode shumë interesante nga jeta e tij personale dhe artistike. Biseda ka nisur me batuta midis të dyve për kthimin në Shqipëri dhe më pas Visi ka pyetur Sinan më shumë rreth zhvendosjes së Andrrës, bashkëshortes së Sinanit këtu… “Kur Andrra ka ardhur në fillim në Shqipëri, nuk i ka pëlqyer fare, po tani u bë një vit martesë dhe nuk ka Zot që e çon në Gjermani më. Jo thotë, do rrimë këtu”, ka rrëfyer Hoxha.

Midis të tjerash Sinani ka treguar edeh largimin e tij si emigrant në shtetin grek. “Ika në këmbë në Greqi, i rashë nga Korça për sport, kaluam ca male e ca kodra, i ftohti i madh… Më merr në shtëpi një prift, i cili më çon më pas në një familje që merrej me biznes makinash. Detyra ime ishte që të pastroja makinat, t’i fshija, duke qenë se isha i vogël nuk kisha një punë shumë të rëndë… Një ditë, që ishte shumë ftohtë, pronari më fton në shtëpinë e tij për drekë dhe më thotë përpara se të ushqehemi, futu bëj një banjo. Të gjitha këto me shenja, se unë nuk kuptoja greqisht. Futem unë në tualet, kur ç’të shoh. Ku kisha parë ndonjëherë dush unë, ne ishim larë me sapllake me ujë, edhe atë kur kishte vajguri. Vajta hapa rubinetin e parë, dilte vetëm ujë i ftohtë, më pas e mbylla atë dhe hapa rubinetin tjetër, nga ku dilte vetëm ujë i nxehtë. Aq injorant kemi qenë, sa nuk e dija që duhej të kombinoja ujin e nxehtë me ujin e ftohtë. Kam ndenjur më shumë se 10 minuta, duke pritur se mos uji arrinte temperaturën e duhur vetë. Jam larë me ujë të ftohtë. Dola nga tualeti duke u dridhur. Ia sqarova gjysmë shqip, gjysmë me gjeste që nuk kishte ujë. E zonja e shtëpisë nisi të qajë, gjynah tha”.

Gjatë intervistës Sinani ka rrëfyer gjithashtu edhe disa nga përvojat e tij të mëparshme, jashtë muzikës. Ai ka zbuluar se dikur ka pasur një biznes. “Para se të futesha në muzikë, kam pasur një furrë buke, pra kam pas punuar furrëxhi, kam bërë bukë”, është shprehur mes të qeshurave. Gjithashtu ka folur edhe për momente të tjera në një koncert në SHBA si dhe në një dasmë fshati ku kishte marrë pjesë.