Qytetarë të mbledhur në rrugë pranë bllokadave të vendosura në veri të Kosovës. Këto bllokada, pasditen e 1 gushtit u larguan.
Sirenat që u dëgjuan në pasditen e 31 korrikut në Komunën e Mitrovicës së Veriut sinjalizuan “rrezikun” për qytetarët në këtë komunë, e cila është e banuar me shumicë serbe.

Sirenat e shqetësuan tej mase Milla Jankoviqin, banore e kësaj komune.

“Më përkujtoi luftën. E çka tjetër? Unë e kam përjetuar një luftë”, thotë Milla Jankoviq dhe shtoi:

“Kam qenë në qendër të blija qumësht, kur filloi alarmi. E dëgjova alarmin dhe thash, çfarë është kjo? U frikësova dhe fillova të vrapoj…. patëm stres të madh unë, burri dhe të gjithë ne”.

“Kur i dëgjoj sirenat, kjo më përkujton fatkeqësinë, kohët e vështira. Thjesht është e parehatshme. Nuk e dini se çfarë ndodh, jeni në panik. Ndoshta ne më të moshuarit këtë e durojmë pak më lehtë, por si ndikon kjo te të rinjtë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Millosh Illiq qytetar nga Mitrovica e Veriut.

Sirenat e alarmit publik në Mitrovicë të Veriut, që ngjasojnë me tingujt paralajmërues të sulmeve ajrore, kanë nisur të bien të dielën, pas orës 17:00 dhe kanë vazhduar për tri orë. Ato rëndom lëshohen kur nga popullata lokale kërkohet të organizohet për ndonjë ngjarje. Sa herë që bien sirenat në veri të Kosovës, e që ka ndodhur në disa raste vitet e kaluara, grupe njerëzish të organizuar dalin në rrugë, mbyllin dyqanet, barnatoret, lokalet afariste e të tjera dhe organizojnë barrikada.

Këtë herë, sirenat ftuan qytetarët serbë që të dalin dhe kundërshtojnë vendimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me letërnjoftimet dhe targat serbe. Shumë shpejtë, në rrugët e veriut të Kosovës u vendosën edhe barrikada.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, 15 minuta pas lëshimit të alarmit u vendosën barrikada në nëntë lokacione në veriun e Kosovës. Barrikadat u hoqën më vonë gjatë 1 gushtit.

A i aktivizoi sirenat Mbrojtja Civile?

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Policisë së Kosovës me pyetjen se kush i ka aktivizuar me sirenat, të cilat më 31 korrik, për disa orë alarmuan rrezikun.

Branisllav Radoviq, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, thotë se nuk ka informacione të sakta.

“Nuk kam informacione, por me siguri këtë e ka bërë komuna ose Mbrojtja Civile [Civilna zastita]. Mendoj që komuna është përgjegjëse për njoftim”, thotë Radoviq.

Komuna e Mitrovicës së Veriut udhëhiqet nga Lista Serbe – parti kryesore e komunitetit serb në Kosovë e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Radoviq megjithatë thotë se nuk ishte në dijeni nëse sirenat janë aktivizuar nga komuna që funksionon sipas sistemit të Kosovës, apo ajo paralele që funksionon sipas sistemit të Serbisë. Lista Serbe i udhëheq strukturat komunale të të dy sistemeve.

Mbrojtja Civile ka qenë një strukturë paralele e Serbisë në veri të Kosovës, e cila është shpërbërë në vitin 2015, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pas kësaj marrëveshjeje, qindra pjesëtarë të kësaj strukture janë punësuar në institucionet e Kosovës.

Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mbrojtja Civile ishte themeluar më 2006, në kohën kur në Serbi, kryeministër ishte Vojisllav Koshtunica.