Katër sulme ajrore kanë goditur pjesë të qytetit sirian të Aleppos, të kontrolluara nga rebelët, në ato që rezultojnë të parat sulme që prej nisjes së armëpushimit të hënën e kaluar.

Disa persona raportohen të plagosur, sipas asaj që bën të ditur Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, por ende nuk dihet me saktësi se kush i kreu këto sulme.

Rusia ka thënë më herët se, e ardhmja e armëpushimit është në dyshim pasi koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara shënjestroi ushtrinë siriane në Deir al-Zour, një sulm që sipas një këshilltari politik sirian nuk është thjesht një “gabim” i SHBA-ve.

Ndalimi i armiqësisë mes rebelëve dhe forcave besnike të Assadit u ndërmjetësua nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, por armëpushimi nuk i përjashtonte sulmet ndaj Shtetit Islamik apo grupeve të tjera xhihadiste.

Një aktivist në Aleppo konfirmoi se ka pasur sulme ajrore në rajonet lindore të Karam al-Jabal dhe al-Shaar. Qendra mediatike e Aleppos raportoi për 3 të plagosur në sulmin e kryer mbi al-Sakhour.

Sulmi i udhëhequr nga SHBA-të i së shtunës shkaktoi tensione mes vet Amerikës dhe Rusisë, pasi kjo e fundit dhe Siria akuzuan koalicionin perëndimor se e kishte koordinuar më së miri atë sulm.

Ushtria amerikane nga ana e saj njoftoi se, koalicioni besonte se po sulmonte pozicionet e ISIS-it, si dhe shprehu keqardhjen për “humbjet e paqëllimshme të jetëve”.

Por këshilltari mediatik i presidentit Bashar al-Assad, Bouthaina Shaaban tha se nuk e besonte që sulmi amerikan ishte i paqëllimshëm. “Shtetet e Bashkuara, superfuqia dhe vendi më i madh në botë, bën gabime teksa shënjestron ushtrinë tonë? Dua të them se nuk ka kuptim as ta bëj këtë pyetje”, tha ajo. “Dua të shpjegohem gjithashtu se, ka një autoritet në SHBA që dëshironte të ndodhte ky sulm, sikurse ka edhe të tjerë që nuk e donin. Ndaj dhe ata e kanë të vështirë të implementojnë atë çfarë kanë rënë dakord me Rusinë”, shtoi ajo.

Sulmi i së shtunës ngriti një pikëpyetje të madhe mbi të ardhmen e armëpushimit, tha ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin. Megjithatë, atij iu përgjigj ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, i cili deklaroi se pavarësisht sulmit të udhëhequr prej SHBA-ve, qeveria siriane është ajo që duhet fajësuar më së shumti për shkeljen e armëpushimit.

Siria njoftoi të dielën se kishte humbur një avion luftarak në zonën e sulmit të së shtunës, avion për të cilin i ashtuquajturi Shtet Islamik njoftoi se e kishte rrëzuar.