Shpërthimi i një autobombe gjatë kalimit të një kolone autobusësh që transportonin persona të evakuuar nga qytetet e marrë nën kontroll nga qeveria ka vrarë disa dhjetëra persona.

Shpërthimi i fuqishëm bëri copë autobusët dhe bëri që makina të tjera përreth të përfshiheshin nga flakët, duke lënë pas një numër të madh viktimash, mes të cilave shumë fëmijë.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, të paktën 45 trupa në qese plastike u numëruan në vendin e ngjarjes, por bashkë me trupat e parekuperuar dyshohet që të vdekurit të jenë rreth 100 e po aq edhe të plagosurit.

Autoritetet vendase druhen se shpërthimi mund të jetë një sulm hakmarrës ndaj të evakuuarve nga zonat e kontrolluara nga rebelët, për lëvizjen e të cilëve ishte arritur një marrëveshje.

Marrëveshja, e njohur me emrin “Katër Qytetet” dhe e ndërmjetësuar nga Irani dhe Katari, synonte të lehtësonte vuajtjen e banorëve në qytetet e përfshira nga luftimet, Foah dhe Kefraja në veri-perëndim, të cilat janë nën kontrollin e qeverisë; dhe Madaja e Zabdani, të kontrolluara nga rebelët.

Rreth 20 mijë persona pritet të evakuohen. Sipas agjencisë së lajmeve “AFP”, rreth 5 mijë nga zonat qeveritare dhe 2.200 nga ato të rebelëve kanë ngelur në gjendje tranziti.

Muajin e kaluar, OKB e cilësoi situatën në qytetet e përfshira nga konfliktet si “katastrofike”, duke deklaruar se mbi 64 mijë civilë janë të bllokuar në një cikël të përditshëm dhune dhe degradimi.