Gjithnjë e më shumë dyqane në Kërçovë po i mbyllin bizneset e tyre. Disa jepen me qira, ndërsa disa prej pronarëve pas mbylljes, nuk kanë ofertë në treg. Shumica e kanë bërë këtë muajt e fundit, pasi pandemia me Kovid- 19 ka filluar të ndikojë seriozisht në punën e tyre. Kamera e Alsat regjistroi këto pamje në disa lokacione të qytetit.

Problem shtesë paraqet edhe mungesa e mërgimtarëve këtë verë.

“Puna ka rënë dhe është katastrofike. Ka rënë 100%. Mërgimtarët nuk erdhën këtë vit. Kriza është e madhe. Pa ata është më vështirë. A ka dyqane përreth që janë mbyllur? Ka. Tek tani po mbyllen. Kjo është. Nuk ka çfarë të bëjmë, vetëm shëndet”, deklaroi Amet Medaroski- pronar i dyqanit, Kërçovë.

Pronarët e agjencive turistike në Kërçovë gjithashtu ankohen. Thonë se askush nuk udhëton, askush nuk bën prenotime dhe ndihma e paralajmëruar nga shteti ende nuk po realizohet.

Orëndreqësi Nurhan Lutfioski, i cili me këtë zeje merret mbi 40 vjet, thonë se nuk mban mend krizë të këtillë deri më tani.

“Merrem me këtë zeje 44 vjet. Në dyqan jam 44 vjet dhe kështu nuk ka qenë kurrë më parë. Kjo është katastrofë. Ne nuk mund t’i mbulojmë më shpenzimet e lëre më të fitojmë. Është tendencë që të mbyllen papritmas”, tha Nurhan Lutfioski- Orëndreqës.

Qyteti është boshatisur. Të rinjtë janë larguar kurse ka traditë që edhe të moshuarit të largohen në perëndim- shprehen banorët.

“Ekonomia lokale në Kërçovës shënon rënie muaj me radhë për shkak të krizës së koronës. Sektori i biznesit dhe qytetarët e Kërçovës, me të cilët bisedoi Alsat, nuk janë optimist se situata do të përmirësohet. Presin që të ritet numri i dyqaneve të mbyllura, por edhe numri i largimeve nga puna”.

Në Kërçovë sipas të dhënave zyrtare për momentin ka 4037 persona të papunë.

“Në Agjencinë e punësimit-Qendra e punësimit Kërçovë, që nga 30.09.2020, janë regjistruar 324 persona të papunë për të cilët ndërprerja gjegjësisht çlajmërimit nga sigurimi i detyrueshëm social është regjistruar në periudhën pas 11.03.2020 do të thotë në periudhën e krizës shkaktuar nga virusi COVID-19”, njoftojnë nga Agjencia e Punësimit.

Nga Agjencia për Alsat shprehen se pjesa më e madhe që kanë statusin të papunë, vijnë nga industria e përpunimit, apo 45%.