Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për dy korridore humanitare për të evakuuar civilët duke përfshirë edhe ukrainasit që largohen me makina private nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, ku situata është tejet e rëndë, shkruan Alsat.

Nënkryetari i Mariupolit alarmoi se njerëzit kanë filluar të vdesin nga uria, pasi furnizimet me ushqim dhe ujë janë të pakta.

“Askush nuk na ka ndihmuar. Banorët po vdesin para syve tanë. Nuk kemi ujë, ushqime, nuk kemi asgjë”, tha Oleksandr, banor i Mariupolit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka kërkuar qeverive perëndimore që të furnizojnë vendin e tij me avionë, tanke dhe sisteme të mbrojtjes raketore. Ai tha se armët e rënda që mund të mbronin lirinë në Evropë po grumbullonin pluhur duke qëndruar në stoqe. Zelensky u ankua se avionët rusë nuk mund të rrëzoheshin me mitralozë.

“Ukraina nuk mund të rrëzojë raketat ruse me pushkë, mitralozë. Është e pamundur të çlirohet Mariupoli pa një numër të mjaftueshëm tankesh, mjetesh të tjera të blinduara dhe veçanërisht pa avionë”, theksoi Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Ukraina ka zmbrapsur shtatë sulme në rajonet lindore të Donetsk dhe Luhansk, sipas forcave të armatosura të vendit. Ukraina tha se Rusia ka filluar të shkatërrojë depot e karburantit dhe ushqimit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se ishte e shqetësuar për presionet me të cilat po përballet stafi i termocentralit të Çernobilit, pasi nuk ka pasur asnjë rotacion të stafit për gati një javë. Më shumë se 3.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i invazionit rus në 24 shkurt./Alsat.mk