Pas inspektimeve të jashtëzakonshme nga ana e Inspeksionit Social në kuadër Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale, kjo e fundit do të dorëzojë padi penale në Prokurorisë Themelore Publike kundër 11 personave përgjegjës në Qendrën për Punë Sociale në Shkup për “punë të papërgjegjshme zyrtare” si dhe kundër personave profesionalë të punësuar në Qendrën, për veprën penale “braktisje të personit të mitur” dhe për “punë të papërgjegjshme zyrtare”.

Akuzat kanë të bëjnë me keqtrajtimin e 13-vjeçares në Shtëpinë “25 Maji”.

Në komunikatën e dërguar nga kjo ministri thuhet se ky denoncim do të ngrihet kundër të gjithë personave të cilët kanë qenë të obliguar të ndërmarrin veprime zyrtare sipas lëndës së të miturës R. I. në periudhën prej vitit 2012-2017.

“Nga ana e inspektorëve janë dorëzuar 12 iniciativa për ngritje të procedurës disiplinore kundër personave profesionalë, në pajtueshmëri me Ligjin për raporte pune. Janë dorëzuar edhe 13 procedura për shkelje nga ana e personave profesionalë në veprimet në këtë rast, në pajtueshmëri me Ligjin për mbrojtje sociale”,- thuhet në këtë komunikatë.

Nga ambasada e fëmijëve Megjashi kërkojnë përgjegjësi nga të gjithë të involvuarit të cilët e kanë ditur fatin e të miturës por nuk kanë marrë asnjë masë.

“Duhet të ketë përgjegjësi edhe nga shtëpia e fëmijëve, atje ka drejtor me vite, jurist, mësimdhënës të cilët kanë ditur për rastet dhe gjithë duhet të japin përgjegjësi dhe mirë është që ka paralajmërime dhe padi që kjo gjë tashmë mos përsëritet”, ka thënë kështu Tatjana Gogoska zëdhënëse e ambasadës për fëmijë Megjashi.