Ngjashëm si BDI që dogji 153 mijë votat e shqiptarëve në vitin 2014 edhe propozimi më i ri Lëvizjes BESA ende pa u shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dogji votat e të gjithë ”rilindasve me besë”për një ”ridefinim” të këtij shteti. Nuk mund të jetë ndryshe përveç se një hap i pamenduar mirë ose një dëshirë e shfrenuar e disa njerëzve të kësaj lëvizje ende të panjohur për shqiptarët, për tu bë pjesë e e pushtetit për të zëvendësuar një Ali Ahmet të keq me një tjetër edhe më të zi.

Në arsyetimin e tyre thonë se gjoja janë të vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës dhe zgjidhjen përfundimtare e shohin në dy faza: zgjidhjen e problemeve akute dhe zgjidhjen problemeve afatgjata. Sipas tyre problem akut qenkan mosbesimi momental ndërmjet komuniteteve dhe subjekteve politike, gjë që s’është aspak e vërtetë sepse nuk kanë kurrfarë mosbesimi ndërmjet komuniteteve, por i vetmi mosbesim është ndërmjet popullit të këtij shteti, Sistemit që kanë ndërtuar dhe njerëzve që kanë kapur shtetin për më se dy dekada, dhe që kjo lëvizje e re ende e panjohur do t’ia zgjas jetën këtij pushteti, duke propozuar zgjidhje që janë prodhuar në kuzhinën e Mijalkovit për të vazhduar edhe në një periudhë afatshkurtë, siç thonë nga këta njerëz të ”mencur” të kësaj lëvizje që ofrojnë zgjidhje.

Meqenëse kjo platformë e Besës për dalje nga kriza propozohet pas takimeve intensive që kanë realizuar udhëheqësit e kësaj lëvizje me diplomatët në Shkup, ata mendojnë se propozimi i tyre ka edhe përkrahjen faktorit ndërkombëtar, andaj në një trup që do ngrihet propozojnë edhe ambasadorët e akredituar në Shkup nga BE-ja, SHBA-të, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, një përfaqësues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Maqedonisë, një i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, një i Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe një i Universitetit “Shën Cirili e Metodi” – Shkup – të gjithë këta në rolin e vëzhguesve dhe lehtësuesve të dialogut, ndërsa në anën tjetër, në rolin e propozuesve dhe vendimmarrësve, të jenë liderët e partive më të mëdha në vend, të cilët përmes dialogut dhe konsensusit do të propozojnë një mandatar ekspert, i cili për një afat të caktuar do të formojë një kabinet qeveritar po ashtu me ekspertë. Pas miratimit të atij kabineti, që do të jetë me mandat një deri në dyvjeçar, ajo qeveri do të krijojë parakushte për kthimin e besimit dhe përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas këtij propozimi i bie që kjo Lëvizje e re që gjatë fushatës për çdo ditë trumbetonte se nuk do të bënte pazare me ”Ridefinimin” dhe me të drejtat e shqiptarëve e paska shitur atë ende pa u shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, andaj me të drejtë në emër të të gjithë shqiptarëve u parashtrojmë një pyetje publike.

Edhe sa vite do të ju duhen që ta ”Ridefinoni” Shtetin, ta bëni zyrtare gjuhën shqipe, pasi sipas jush nuk qenkan prioritet të drejtat e shqiptarëve ngjashëm si BDI me 2014 kur hoqi dorë nga këto drejta, që na takojnë gjoja se do të na integrojë në NATO dhe BE. Po ashtu edhe disa nga pikat e prioritete ve të kësaj qeverie që ju propozoni janë skandaloze, ku pa i përmendur të gjitha vetëm do t’ua rikujtojmë pikën e tretë ku kërkoni themelim të një Prokurorie Speciale, prokurori që tashmë është duke funksionuar, dhe kur për Kryepokurore e kësaj Prokurorie është Katica Janeva, që edhe ndoshta e keni dëgjuar, tregon edhe njëherë mosnjohjen elementare dhe amatorizmin politik të këtij subjekti që mundohet të ofroj zgjidhje për dalje nga kriza.

Prioritet e Qeverisë sipas propozimit të Lëvizjes Besa

1. Regjistrimi i popullsisë me mbikëqyrje ndërkombëtare;

2. Ndryshimi i ligjit për zgjedhje, pastrimi i listës zgjedhore dhe organizimi i zgjedhjeve të ardhshme me monitorim të fuqishëm ndërkombëtar;

3. Themelimi i Prokurorisë Speciale të pavarur me prokurorë eminentë ndërkombëtare dhe të vendit, për hetimin e hipotekave të deritanishme në bazë të materialeve të LSDM-së dhe akuzave të VMRO-DPMNE-së për puç.

4. Themelimi i Gjykatës Speciale të pavarur me gjykatës eminentë ndërkombëtarë dhe të vendit, për gjykimin e rasteve të ngritura nga Prokuroria Speciale.

5. Themelimi i një bordi të ri drejtues të RTVM-së nga ekspertë eminentë të vendit dhe ndërkombëtarë për të krijuar hapësirë të balancuar në mediume të të gjithë faktorëve relevantë politikë në Maqedoni.

 

Edhe më skandaloze në propozimin më të ri të kësaj Lëvizje politike shihet ideja e zgjidhje së problemeve afatgjata, ku nga kjo lëvizje propozohen tre pika kryesore edhe atë, duke mos precizuar dhe duke mos vendosur vijën e kuqe të kushteve për barazi të plotë të shqiptarëve në këtë vend.Sipas kësaj logjike i bie që shqiptarët duhet të presin edhe po aq vite ndoshta edhe më tepër se sa kemi prit tani, deri atëherë kur maqedonasit do të kenë vullnetin me konsesnsus të pranojnë idenë e famshme të ridefinimit që propozon kjo lëvizje me emrin Besë.

Tre pikat e propozuara për zgjidhje në fazen Afatgjate!

• Ridefinimi i gjithë sistemit politik dhe juridik të Maqedonisë, duke e vendosur shtetit mbi parimet e konsensusit maqedonaso-shqiptar, të mbështetur mbi liri, demokraci, barazi dhe drejtësi;

• Zgjidhja e problemit të emrit të shtetit me një emër që do ta reflektojë shoqërinë shumetnike të Maqedonisë;

• Integrimi i vendit në NATO dhe hapja e negociatave për anëtarësim në BE;

Të konsiderosh se tani është momenit historik dhe në vend të një qeverie politike ku shqiptarët pa përjashtim do të bëheshin bashkë me vijën e kuqe për barazi duke mos prejudikuar, se cili do të ishte partner ideal për të qeverisur dhe për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë hallet e shqiptarëve, dhe në vend të kësaj të propozosh një qeveri teknike, dhe t’ia zgjatish jetën Mijalkovit dhe kësaj qeverie është një papërgjegjshmëri kombëtare e kësaj lëvizje të re politike, që flet fshehtazi me gojën e Gruevskit.

© fol.mk