Lideri i BDI-së dhe ai i PDSH-së nuk do të marrin pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan. Sipas partisë së Ali Ahmetit, arsye për mospjesëmarrje është se delegacioni i Maqedonisë kryesohet nga një president jo legjitim.

“Ftesa është adresuar tek ne. Mirëpo, nga që delegacioni udhëhiqet nga presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, i cili për BDI-në është jo legjitim, ne nuk pranuam t’i bashkohemi delegacionit që do të prezantonte Maqedoninë në shenjtërimin e Nënë Terezës”, njoftojnë nga BDI-ja.

Alsat kërkoi qëndrim edhe nga PDSH për të na njoftuar me arsyet e mospjesëmarrjes në këtë ceremoni, mirëpo zëdhënësi i partisë së Thaçit, Luan Tresi ishte i pakapshëm për prononcim.

Ivanov ka injoruar edhe mediat në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj ceremonia presidenti nuk e ka pa të udhës të ftoj as edhe një medium shqiptarë, pavarësisht se shqiptarët participojnë në buxhetin e shtetit.
“TVM programi në gjuhën shqipe është i ftuar dhe do të transmetojnë ngjarjen”, përgjigjen nga kabineti i Presidentit.

Nesër në Vatikan, do të shenjtërohet nobelistja Nënë Tëreza. Ceremonia do të zhvillohet në sheshin Shën Pjetrit kryesuar nga Papa Françesku. Në ceremoni janë ftuar politikan, artist dhe klerik. Nënë Tereza shenjtërohet 19 vjet pas vdekjes.