Lëvizja Besa këtyre ditëve shpalosi se ajo është e interesuar që një deputet i saj të jetë kryetar i parlamentit të ri, ende të pa konstituuar dhe skenarë të ndryshëm përçarjesh dhe kompromisesh mund të krijohen midis shumicës së re parlamentare.

Është krejtësisht normale që partitë e kualifikuara të kenë apetite për postet më të larta në parlament, siç është edhe rasti i Lëvizjes Besa, BDI dhe LSDM, të cilat kanë numrin më të madh të votave nga shumica e re parlamentare.

Kjo lëvizje synon që të merrë postin më të lartë të parlamentit të Maqedonisë, në shkëmbim të pesë votave që ajo ka premtuar për të mbështetur shumicën e re parlamentare në krijimin e qeverisë së ardhshme.

Zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Orhan Murtezani pat sqaruar për Zhurnal.mk se tashmë ka një kandidat të kësaj lëvizjeje për postin, por ende nuk ka marrë dritën e gjelbër të partisë për ta zyrtarizuar kandidaturën. Emri i deputetit po ashtu mbetet enigmë për publikun.

Pretendimet për këtë post ende i ka edhe Talat Xhaferi i BDI-së, mëson Zhurnal.mk , ashtu siç i ka edhe Oliver Spasovski i LSDM-së, siç kanë raportuar disa media tjera vendore.

Kjo nuk është gjë tjetër vetëm shpallje e betejës midis partnerëve të shumicës parlamentare për postet e institucioneve të cilat ende nuk janë themeluar.

Por çfarë efektesh mund të ketë kjo garë e re që po shkaktohet midis dy partive shqiptare dhe LSDM-së ? çka nëse BDI dhe LSDM e refuzojnë këtë kërkesë të Lëvizjes Besa ?

A mund të këto parti t’i hakmerren njëra tjetrës nëse nuk pranohet pëlqimi për postin ?

Më saktësisht, a mund Lëvizja Besa të rrezikojë LSDM-në dhe BDI-në në marrjen e këtij posti duke mos ua dhënë 5 votat e deputetëve të saj. Në një skenar të këtillë shumica parlamentare do të kishte në dispozicion vetëm 62 vota, të cilat do të ishin të mjaftueshme për shumicën e votave.

Por çka nëse 2 deputetë nga radhët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët nuk do të ishin prezent në seancë të parlamenti apo do të atestonin në votën për postin e kryetarit të parlamentit ?

Skenare përplot, por edhe mundësi përçarjesh dhe bllokade po ashtu.

Skenar tjetër si rrugëdalje mund të jetë edhe shkëmbimi i posteve të kryetarëve të komisioneve tjera. Tash për tash, krejt këto mundësi kompromisesh dhe bllokadash mbeten larg syve të opinionit.

Aktualisht beteja e madhe po zhvillohet midis VMRO-DPMNE në njërën anë dhe LSDM në anën tjetër për postin e kryetarit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime në parlament.

E deri në atë kohë, LSDM, BDI, Rilindje me Besë dhe Aleanca për Shqiptarët do të kenë kohë për t’u marrë vesh për ndarje postesh tjera nëpër parlament, nëse do të ketë zhbllokim të garës apo jo.