A po përgatitet Nikolla Gruevski për të formuar paraushtri apo paramilitarë për të penguar LSDM-në dhe BDI-në për të formuar Qeverinë, pasi që Kushtetuta nuk i lejon presidentit Gjorge Ivanov që ta nxjerrë pa ndonjë pretekst të madh ushtrinë në rrugë, një plan që spekulohej se po përgatitet? – është pyetja të cilën e parashtron gazeta maqedonase “Slloboden peçat”.

Sipas kësaj gazete, në opinion po përhapen zërat se së shpejti mund të ndodhë edhe ky skenar, ndërsa rekrutët e parë do të jenë njerëzit me libreza partiake të VMRO-DPMNE-së.  Në VMRO-DPMNE i mohojnë këto zora, për të cilat thonë se janë spekulime të LSDM.

“Zoran Zaev për të shpëtuar nga përgjegjësia penale për kriminalitetin e bërë, nuk po sheh mënyrë tjetër, përveç se të lansojë lajme të rrejshme dhe spekulime. Vlerësoj se kjo informatë ka dalë nga LSDM-ja, në të njejtën mënyrë ashtu sikur ditëve të fundit kur ndaj Shtëpisë së Alfabetit në Manastir u hodhën koktej molotovi, dhe gishti ishte drejtuar tek VMRO-DPMNE”, theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Ivo Kotevski.

Bllagoja Markovski, ekspert për çështje sigurie thotë se çdokush që përfshihet në formacione të tilla, duhet të jetë i vetëdijshëm se bën vepër penale.