Kisha kënaqësinë sot te jem nikoqir i Ekipit të Zjarrfikësve Vullnetarë “Kotredezh” nga Zagoria e Savës në Slloveni, delegacionit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Maqedonisë së Veriut dhe drejtorit të saj Bekim Maksutit, sikurse edhe kryetarit të ri të Shoqatës së Zjarrfikësve Vullnetarë “Bajram Miftari”, Artan Demirit.

Me këtë rast Ekipi i Zjarrfikësve Vullnetarë “Kotredezh” nga Zagoria e Savës në Slloveni, Shoqatës së Zjarrfikësve Vullnetarë “Bajram Miftari”, që funksionon në kuadër të Komunës së Çairit i dhuroi një automjet teknik që do të ndihmojë për shuarjen e zjarreve dhe i pajisur me mjete plotësuese.

Çelësin e automjetit e pranuam tek objekti i Komunës së Çairit dhe falënderuam pa masë mysafirët nga Sllovenia për donacionin e bërë, që është me një rëndësi mjaft të madhe për banorët Çairit, duke pasur parasysh faktin se automjeti është me pajisje plotësuese moderne dhe i adaptueshëm për depërtim në shumë lagje tona.

Përfaqësuesit e ekipeve zjarrfikëse i përkujtova se gjithmonë kam pasur respektin më të madh ndaj tyre për faktin se zjarrfikësit kryejnë një nga misionet më humane në shoqërinë tonë, ndërsa drejtorin e DMSH-së Bekim Maksutin, i cili ishte edhe ndërmjetësues për donacionin nga ana zjarrfikësve të Sllovenisë, e falënderova për gatishmërinë e vazhdueshme që kanë për të mbështetur Komunën e Çairit.