AKTIVISTI I LËVIZJES VETËVENDOSJE, ASTRIT DEHARI, QË PO MBAHEJ NË QENDRËN E PARABURGIMIT NË PRIZREN, KA NDËRRUAR JETË TË SHTUNËN PASDITE NË RRETHANA ENDE TË PASQARUARA NGA AUTORITETET.

 

Lajmin për Koha.net e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha.

“Astrit Dehari që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ka vdekur sot në orët e pasdites. Shkaqet e vdekjes së tij ende nuk dihen, pos asaj që me urgjencë është dërguar në Spitalin rajonal të Prizrenit. Jemi duke u marrë me hetimin e rastit dhe tani për tani nuk mund të japim ndonjë informatë tjetër”, ka thënë Hoxha.

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të premten në orët e paradites, patën zhvilluar një aksion simbolik pranë Qendrës së paraburgimit në Prizren, me ç’rast patën kërkuar lirimin e kolegut të tyre, Astrit Dehari. Ata patën pohuar se Dehari tash e 67 ditë po mbahet padrejtësisht në paraburgim, përderisa zyrtarë të klanit “Pronto” mbeten në liri përkundër shkeljeve të shumta të ligjit.

Astrit Dehari po hetohej lidhur me dyshimin se bashkë me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, Atdhe Arifi, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi kishin planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me datën 4 gusht 2016.

Ai ka qenë djali i veprimtarit të njohur Avni Dehari nga Sllupçani i Kumanovës