Pasi Gjykata e Apelit e ka publikuar përmbajtjen e SMS-porosisë së prokurores Villma Ruskoska, që ia ka dërguar njërit prej anëtarëve të Këshillit Gjykues të Gjykatës së Apelit që e kanë dërguar në paraburgim ish prokuroren speciale, Katica Janeva, kanë reaguar Prokuroria dhe Këshilli Gjyqësor, njofton Portalb.mk.

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ashpër e dënon sjelljen e prokurores, Villma Ruskoska dhe vlerëson se është në kundërshtim me Kodin Etik të Prokurorëve, ndërkaq Prokuroria e arsyeton si reagim momental.

“Deklaratat me kërcënime ndaj gjykatësve, paraqesin: Shkelje të ashpër të barazisë së pjesëmarrësve në procedurën penale, ndikim ndaj ligjshmërisë së vendimit gjyqësor në kundërshtim me Kushtetutën dhe dispozitat ligjore pozitive, keqpërdorim të të drejtës në procedurë gjyqësore, përzierje dhe trysni ndaj gjyqtarëve gjatë miratimit të vendimit dhe shkelje të reputacionit të gjykatës dhe pushtetit gjyqësor nëpërmjet dhënies së pasigurisë, si një ndër segmentet e parimit të sundimit të ligjit”, thonë nga Këshilli Gjyqësor.

“Si organ i vetëm kompetent për përndjekje penale dhe që kujdeset për ligjshmërinë e përndjekjes penale, Prokuroria Publike thekson se i respekton vendimet gjyqësore dhe nuk përzihet në punën e pushtetit gjyqësor. Reagimi i prokurorit në lëndë duhet që të kuptohet si shprehje ndaj dëshpërimit momental, pasi është njoftuar me vendimin në lëndën në të cilën pas procedurave gjithëpërfshirëse parahetuese dhe hetuese është dorëzuar akuzë, pret përfundim gjyqësor”, kumtoi Prokuroria.

Ndryshe, e revoltuar që tre gjykatës kanë miratuar paraburgim shtëpiak për Janevën, Ruskoska mbrëmë ka deklaruar se do të hapë hetim financiar për tre gjykatësit.

Shfuqizimin e masës së paraburgimit dhe parashtrimin e arrestit shtëpiak e ka miratuar Gjykata Apelit dje pasdite, e ndërkaq Janeva në banesën e birit të tij, afër Klubit të Deputetëve është dërguar gjatë orëve të mbrëmjes së 19 nëntorit.

Ndërkaq, gjykimi për rastin “Reket”, do të fillojë më 3 dhjetor.

Ndryshe, në rastin “Reket”, të akuzuar janë Bojan Jovanovski i njohur me nofkën Boki 13, ish shefja e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Katica Janeva dhe Zoran Milevski i njohur me nofkën Zoki Kiçeec. Boki 13 akuzohet se, ka kryer veprën penale “larje parash”, Janeva për “marrje e shpërblimit të jashtëligjshëm” dhe “shpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar”, ndërkaq Kiçeeci për veprën “marrje e shpërblimit tëjashtëligjshëm”.
Boki13 akuzohet se, ndikoi te Janeva për lëndën që e udhëhiqte PSP-ja, “Perandoria”, për t’ia lehtësuar pozicionin e të dyshuarit Orçe Kamçevit. Si shpërblim, Janeva ka marrë mobilie në vlerë prej 296.040,00 denarë dhe para në vlerë prej 50,000 euro, ndërkaq Boki 13 dhe Zoki Kiçeec shpërblim prej 1.500,000 euro.
Në rastin “Reket” të përfshirë janë edhe organizata “Lidhja Ndërkombëtare” me kryetar Boki 13, deputetja e Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Frosina Remenski, babai i Boki 13 – Mile Jovanovski, nënpresidentja e Lidhjes Ndërkombëtare, Jasna Mandiq, Kristina Karavijanova dhe Bojan Novakovski.