Prokuroria Publike sot pritet që të dorëzojë akuzën për ngjarjet në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill të vitit të kaluar kur protestuesit e atëhershëm u futën në goditën e Kuvendit dhe demoluan gjithçka, por dhe rrahën deputetë e gazetarë, njofton Portalb.mk.

Prokurori publik, Lubomir Joveski, në një intervistë për “360 gradë” në Alsat, deklaroi se gjatë ditës së sotme do të kumtohen detaje për akuzën.

Ai mbrëmë e rikonfirmoi qëndrimin e mëparshëm të Prokurorisë se nuk do të ketë rikualifikim të veprës për asnjë të dyshuar/akuzuar në këtë rast. Ajo do të thotë se të gjithë të akuzuarit do të përgjigjen për veprën “rrezikim terrorist i rendit kushtetues”.

Një pjesë e të dyshuarve do ta presin akuzën në ditën e parë në liri, pas paraburgimit që u është shqiptuar. Gjykata Supreme dje ua ka shfuqizuar masat e paraburgimit shtëpiak Lubço DImovskit, Johan Tarçullovskit, Igor Durllovskit dhe Elena Bozhinoskës, derisa ish ministrit të Brendshëm Mitko Çavkov dhe deputetëve nga VMRO-DPMNE, Kërsto Mukovski dhe Sasho Vasilevski, ua ka shfuqizuar masën e paraburgimit dhe të njëjtën ua ka zëvendësuar me masë arrest shtëpiak.

Ndryshe, sulmi ndaj Kuvendit dhe rrahja e deputetëve dhe gazetarëve nga ana e protestuesve të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” e cila udhëhiqet nga persona të eksponuar të VMRO-DPMNE-së pasi u zgjodh për kryetar të Kuvendit Talat Xhaferi nga shumica parlamentare, nga faktori i brendshëm dhe i jashtëm u cilësua si “sulm ndaj demokracisë. Më 27 prill të vitit të kaluar, në shënjestër të dhunuesve të cilët akuzohen për terrorizëm ishin kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela. Ashtu siç u njoftua edhe nëpër media, të dy, u sulmuan përgjakshëm, ndërkaq Sela ishte edhe në rrezik për jetë.