Ditën e sotme në qytetin e Korçës do të nisë eventi më i madh veror në Shqipëri, Festa e Birrës.

Eventi fillon prej orës 18:00 deri në orën 24:00 dhe do të vazhdojë për 5 netë me radhë, e do të organizohet tek Terminali i ri i autobusëve, në hyrje të qytetit të Korçës. Festa do të ketë skenë edhe tek Pazari i Vjetër. Veç artistëve shqiptarë, pjesëmarrës do të jenë DJ dhe grupet më të njohura muzikore në Shqipëri dhe jo vetëm.

Të gjitha grupet dhe këngëtarët do të performojnë live në të 5-ta netët e festës, në të dy skenat të cilat presin si çdo vit vizitorë jo vetëm shqiptar por edhe nga vende të ndryshme të botës.

Policia ka marrë një sërë masash për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti.

Ndërkaq, policia njofton se bllokimi i akseve rrugore do të fillojë që prej orës 16:30 deri në orën 03:30, , nga kryqëzimi i fshatit Çiflig deri tek kryqëzimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Korçë; nga stadiumi “Skënderbeu” deri tek ASHK Korçë dhe nga kryqëzimi i ASHK Korçë, deri tek rrethrrotullimi i Voskopojës./TCh/