Pozita e shqiptarëve ndërvite në Maqedoni ka qenë e lënë anësh, me shkas ndodhi edhe konflikti i vitit 2001 ku më pas pozita e shqiptarëve filloi të avancohet, punësime e të drejta në shumë fusha të shoqërisë, universitete e shkolla, spitale e punësime në administratë, pushtet deri në një shkallë por jo edhe atë që ndoshta shqiptarët e kërkonin me vite, barabarësinë të cilën sipas analizave nuk mund të arrinin brenda një nate sepse duhej kohë që të arrihet dhe ajo, me kushtëzim apo pa kushtëzim sigurisht që kërkohej momenti i volitshëm, informon Zhurnal.

Partitë shqiptare para konfliktit të vitit 2001 nuk kishin punuar sa duhet në avancimin e pozitës së shqiptarëve duke e lënë atë pas dore sa që për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve duhej më pas shumë vite, ndoshta edhe 15 aq sa janë bërë nga viti 2001 dmth pas konfliktit e këndej, barabarësia tash kërkohet.

Me të drejtë apo pa të drejtë ndërvite pozita e shqiptarëve në shoqërinë dhe në një shtet multietnik ka shënuar rritje në shumë sfera. Por, zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit të kaluar e kanë sjellë pozitën e faktorit politik shqiptarë në një shkallë shumë të volitshme sa që mund të kërkojnë cfarë të duan e sa të duan, e po nuk u plotësuan sigurisht që mund të ketë ndonjë veprim tjetër, po cfarë në fakt? Vendi shkon përsëri në krizë politike dhe shpallen zgjedhje të reja.

Nga ajo që kemi parë deri më sot, duket se shqiptarët nuk janë lënë anësh edhe nga shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës të cilët si vëllezër që jemi kanë dashur që nga afër të njohin situatën, kështuqë në Tiranë liderët politik shqiptarë të Maqedonisë i mblodhi kryeministri Rama ndërsa disa ditë më vonë në Prishtinë presidenti Thaçi, jo për t`u përzier në punët politike në Maqedoni por thjeshtë për të insistuar që shqiptarët në qeverinë e ardhëshme të shkojnë të bashkuar dhe me një platformë të përbashkët, me pika kyçe dhe bazë të fortë përballë bllokut maqedonas.

Pikërisht këto pika kyçe dhe platformë të përbashkët që duhet të miratohet fillimisht nga organet partiake të të gjitha partive pjesëmarëse në tryezën e Ramës dhe Thaçit nesër pritet që të bëhen publike për shqiptarët para se partitë të fillojnë bisedime për formimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë pasiqë kanë ngelur edhe pak ditë që presidenti të mandatojë kryeministrin e ardhëshëm të vendit.