Gruaja shtatzënë që u vra të mërkurën në Prishtinë do të varroset sot. Familjarë të shtatzënës së vrarë kanë thënë se varrimi do të bëhet në ora 13:00.

Ndryshe, mbrëmjen e së mërkurës një burrë (Sokol Halili) ka vrarë ish-bashkëshorten e tij shtatzënë në oborrin e objektit të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë. Gruaja shtatzënë, siç është raportuar, ka qenë duke pritur për të lindur. Gjykata Themelore e Ferizajt, sot ka njoftuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35-vjeçares, e cila është vrarë në oborrin e QKUK-së.

Prokuroria Themelore e Ferizajt, lidhur me rastin ka potencuar se kompetente për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë policia.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët për ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personit të dyshuar për vrasjen e bashkëshortes shtatzënë në QKUK, e i cili ende ndodhet në arrati. /KosovaPress