Gazeta “Shtypi i Lirë” shkruan se a po përgatitet Nikolla Gruevski për të formuar paraushtri apo paramilitarë për të penguar LSDM dhe BDI për të formuar Qeverinë, pasi që Kushtetuta nuk i lejon presidentit Gjorgje Ivanov që ta nxjerrë pa ndonjë pretekst të madh, ushtrinë në rrugë, një plan që spekulohej se po përgatitet. Sipas kësaj gazete, në opinion po përhapen zërat se së shpejti mund të ndodhë edhe ky skenarë, ndërsa rekrutët e parë do të jenë njerëzit me libreza partiake të VMRO-DPMNE. Në VMRO-DPMNE mohojnë këto zora, për të cilat thonë se janë spekulime të LSDM.

“Zoran Zaev për të shpëtuar nga përgjegjësia penale për kriminalitetin e bërë, nuk po sheh mënyrë tjetër, përveç se të lansojë lajme të rrejshme dhe spekulime. Vlerësojë se kjo informatë ka dalur nga LSDM , në të njejtën mënyrë ashtu sikur ditëve të fundit kur ndaj Shtëpisë së Alfabetit në Manastir u hodhën koktej molotovi, dhe gishti ishte drejtuar tek VMRO-DPMNE”, theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE, Ivo Kotevski, transmeton INA.

Bllagoja Markovski, ekspert për çështje sigurie thotë se çdo kush që përfshihet në formacione të tilla, duhet të jetë i vetëdijshëm se bën vepër penale.