Spanja nga e premtja ka liruar masat për mbrojtje nga koronavirusi, duke hequr kufizimin e personave brenda kafeneve dhe restoranteve.

Shteti spanjoll nuk do të kërkojë certifikatën e vaksinave nëpër lokale, teksa ka hequr edhe kufizimin prej dhjetë personave nëpër tubimet private. Mirëpo, bizneset e jetës së natës kanë mbetur të mbyllura.

Në mesataren më të lartë të vaksinimit në Evropë, Qeveria spanjolle ka vendosur që ta trajtojë koronavirusin si sëmundje të zakonshme. Ideja është që vala e ardhshme e COVID-19 të trajtohet si grip. Kjo do të thotë se spitalet do t’u kushtojnë shumë kujdes personave të rrezikuar nga koronavirusi.

Katalonja ishte detyruar të ashpërsonte masat në muajin dhjetor për shkak të përhapjes së madhe të variantit Omicron. Ora policore është hequr më 21 janar.

Zyrtarët në rajonin e Katalonjës kanë thënë se ashpërsimi i masave ka pamundësuar përkeqësimin e sistemit shëndetësor.