Nga Medai Shaholli

Spasovski: Tigrat nuk do të kenë uniforma në shqip!

Pa kaluar 48 orë nga deklerata e bujshme e zv. kryeministrit Artan Grubi kur tha se ”shqiptarët në këtë vend janë të barabartë me sllavo-maqedonët dhe gjuha shqipe është e barabartë sipas ligjit”, del ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski dhe nxjerr blof Grubin mbi përdorimin e uniformave të policisë dhe gjuhës shqipe në nivel lokal.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka sqaruar se me Dekretin e miratuar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, nuk parashihet ndryshimi i uniformave policore edhe për njësitet që veprojnë në nivel republikan – siç është rasti me Tigrat.
”Shqip do t’i kenë uniformat vetëm policët që veprojnë në komunat apo qytetet ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve”, transmeton TV21.

Kjo do të thotë se uniformat e policisë nuk mund të përdorin logon e saj me gjuhën shqipe në mbarë teritorin e republikës as në komunat me pakicë shqiptare si në Ohër, Resnjë, Debarcë, Manastir, Krushevë, Mavrovë dhe vendbaime të tjera ku banojnë më pak se 20% të shqiptarëve.

Kjo është demokracia me përqindje dhe pjesë- pjesë në ”dërzhavën” tonë, ku në vendbanimimet e popullsisë që nuk i kalojnë 20% të asaj bashkësie siç janë etiketuar shqiptarët, nuk njihen si gjuhë e bashkësisë etnike të 20%, por si pakica të papërfillshme dhe pa identitet gjuhësor.

Kjo na qënkësh barazia e plotë e shqipes me sllavishten që detyruaka ‘dërzhavën’ tonë sipas ligjit të gjuhëve (jo të gjuhë shqipe por për gjuhët e pakicave) që në uniformat e policisë në nivel lokal mund të përdoret mbishkrimi edhe në gjuhën tonë, që gjithsesi duhet pritur edhe një vit kohë për t’u qepur logot mbi uniformat e policisë.

Kjo përgjigje e e qartë e Ministrit të Brendshëm Spasovski nxorri në pah një të vërtetë të madhe që subjektet politike shqiptare e mbajnë të fshehur dhe nuk e shfaqin se supremacia, mbajtja dhe ruatja e pushtetit është privilegj vetëm i një kombi dhe se të tjerët janë vasalë të pushtetit sllavo-maqedon.

Ky qëndrim qyqar i subjekteve politike shqiptare nuk është i sotëm por vjen qysh nga miratimi i MO, kur subjektet politike shqiptare dhe përfaqësuesit e ish UÇK-së mashtruan luftëtarët e lirisë se me MO, shqiptarët fituan barazinë e plotë që në fakt shqiptarët kishin fituar 20% nga 80% që ruan blloku tjetër si të drejta të rezervuara për udhëheqjen e shtetit dhe të pushtetit.

Shqiptarët e ndershëm dhe atdhetarë e kanë të qartë dhe nuk kanë asnjë dilemë se statusi juridik i shqiptarëve është lënë peng në duart e tyre për shkak se ata subjektet politike shqiptare përpara se të angazhohen në politikë kanë bërë një betim, se ata asnjëherë nuk do të kërkojnë barazi të plotë dhe status juridik të barabartë me sllavët por do të kënaqen me 20% të drejta që do t’u njoh qeveria e ”Severnës”.

Tashmë të gjitha kartat janë hapur ku pas dy dekadash zvarritje si lypsarë nëpër korridoret e parlamentit, subjekteve politike shqiptare u doli boja, ato tashmë e kanë të shkruar në ballë vulën e tradhtisë së madhe.