Me konsensus mes partive parlamentare u miratua ligji i Agjencisë për Siguri Kombëtare i cili firmos fundin e ekzistencës së Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Ligji i cili paraqet pjesë shumë të rëndësishme për reformat në shërbimet e sigurisë mori miratimin e 91 deputetëve, përfshirë këtu edhe votat e VMRO-DPMNE-së.

Është e rëndësishme sepse forcohet mbikqyrja parlamentare, jepet mundësi që të shqyrtohen edhe mjetet financiare, madje edhe për pjesën e operacioneve speciale, çështje e cila seriozisht është keqperdorur në periudhën e kaluar.”- theksoi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm

Deputetja e LSDM-së Frosina Remenski ishte ndër të paktët që akoma kishte pakënaqësi për ligjin.

Pyetjeve që nuk kanë marrë përgjigje u vendoset presje (,) dhe lejnë dyshime për përgatitjen për reformë të vërtetë në DSK. Nëse merrnim përgjigje për pyetjen se kush do t’i reformojë reformatorët ndoshta do të ishim të sigurtë edhe për besueshmërinë e plotë të personave që do ta bëjnë këtë reformë.”- u shpreh Frosina Remenski, deputete e LSDM-së

Ndërkohë deputetët e BDI-së, ligjin e cilësuan evropian.

Para nesh kemi ligjin më të mirë të mundshëm deri tani, ligjin që i kënaq edhe standardet e debatit parlamentar, edhe standardet profesionale, edhe standardet e partnerëve tanë.”- tha Xhevat Ademi, deputet i BDI-së

Opozita ka dhënë kontributin e saj për ligjin duke vlerësuar se shërbimet e sigurisë duhet të profesionalizohen.

VMRO-DPMNE-ja, në interes të shtetit dhe të ardhmes së tij dha kontributin e saj për përmirësimin e këtyre dy ligjeve. Reforma në shërbimet e sigurisë dhe zbulimit është me rëndësi të madhe sepse pikërisht në të kaluarën ato kanë qenë bërthama e disa krizave politike.” – pohoi Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së

Besoj se këtë të kaluar që e kanë pasur qytetarët e vendit, por para së gjithash do të kisha thënë shqiptarët, duhet të jetë një e kaluar dhe me krijimin e këtyre institucioneve të reja të hapet një perspektivë e re në sferën e siguris.” – theksoi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa

Agjencia për Siguri Kombëtare duhet të fillojë me punë në qershor. Do të jetë institucion i veçantë, jashtë Ministrisë së Punëve të Brenshsme, do të ketë funksion parandalues kurse të punësuarit nuk do të ketë autorizime policore. Drejtori i saj do të propozohet nga kryeministri por do të zgjidhet nga Qeveria. Po ashtu, mbi Agjencinë do të ketë disa mekanizma kontrolli, si Komision i veçantë parlamentar, Këshilli civil, Avokati i Popullit dhe organet e drejtësisë./Alsat/