Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski pasdite në konferencë shtypi e dënoi sulmin e sotëm ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Nikolla Todorov dhe bëri thirrje që qytetarët të mos e marrin drejtësinë në duart e tyre. Konsideron se kjo është meritë e humbjes së besimit të tyre tek institucionet dhe sistemi juridik, transmeton MIA.

“Shpreh shqetësim dhe ashpër e dënoj incidentin e sotëm në të cilin me armë zjarri u sulmua ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-deputeti Nikolla Todorov. Pa marrë parasysh motivet, dëshpërimin dhe arsyet për sulmin e këtillë, e drejta e të jetuarit për çdo qytetar është e drejtë e pamohueshme”, tha Spasovski.

Ai shtoi se gjatë viteve të kaluara sistemi i qeverisjes së të drejtës dhe shtetit juridik janë rrënuar dhe, siç tha, politizimi i ashpër dhe partizimi i institucioneve vitale shtetërore kanë kontribuuar që qytetarët ta humbin besimin dhe të kërkojnë mënyra për arritje të drejtësisë.

“Si ministër i Punëve të Brendshme, i dënoj të gjithë veprat penale dhe çdo prishje të sigurisë së qytetarëve dhe shtetit. Por njëkohësisht, do t’i ndërmarr të gjitha aktivitetet e domosdoshme me të cilat qytetarët sërish do ta kthejnë besimin tek MPB-ja. Institucionet e shtetit duhet të punojnë në interes të mbrojtjes së qytetarëve dhe respektimit të rregullimit juridik. Në qoftë se cilido bartës i funksionit kryen vepër penale derisa e ushtron funksionin, kundër tij le të zhvillohet procedurë adekuate penale, duke u nisur nga parimi i objektivitetit dhe nga parimi i supozimit të pafajësisë”, theksoi ministri i Punëve të Brendshme.

Tha se MPB-ja do t’i ndërmarrë të gjitha masat ligjore të cilat janë në kompetencë të saj për ndriçim të motiveve dhe pasojat nga ngjarja e pakëndshme e sotme dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të mos ndërmarrin kurrfarë aksione me të cilat do ta rrezikojnë jetën personale ose jetën e qytetarëve në përgjithësi.

MPB paraprakisht njoftoi se para Ministrisë së Shëndetësisë sot në orën 12:05 L.S. (1957) nga fshati Kallasllari i Poshtëm i Velesit ka shtënë dy plumba nga pistoleta ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Todorov, i cili nuk është lënduar pas sulmit.

Nëpunësit policorë e kanë arrestuar L.S. në vendin e ngjarjes, ku është gjetur edhe një gëzhojë. Banori i Velesit 60-vjeçar është gjyshi i Tamarës e cila në shkurt të vitit 2015 në moshë 9-vjeçare vdiq derisa priste mjekim jashtë shtetit.

Në konferencën për shtyp Spasovski në pyetjen e gazetarëve për përbërje personale në Byronë për Siguri Publike dhe Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim u përgjigj se ende mendon dhe se do ta kumtojë vendimin në momentin kur do ta sjellë.

Njoftoi edhe se ende nuk është gati raporti nga grupi i punës për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend. “Së shpejti do të jetë. Kur do të jetë gati, do t’ia prezantojmë edhe opinionit, dhe institucioneve”, tha Spasovski.