Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski thotë se një nga prioritetet kryesore të MPB-së gjatë këtij mandati do të jetë vendoja e kamerave nëpër rrugë që të ndalohet vozitja e shpejtë.

Spasovski nuk përmend se kur do të përfundojë procesit, por thekson se realizimi i projektit është në vijim.

Sipas tij, sistemi i incizimit me kamera gjatë kundërvajtjes eventuale, do të thotë transparencë gjatë dënimit dhe secili që nuk do t’i respektojë rregullat do të sanksionohet.

“Instalimi i kamerave është një nga prioritetet kryesore të këtij mandati. Së pari duhet të kalojnë të gjitha procedurat në aspektin e furnizimeve publike dhe marrëveshjeve”, tha Spasovski i cili sqaroi se kamerat që tani ndodhen në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë janë ndryshe dhe se me kamerat e reja duhet të përfshihet i gjithë shteti.

Ai bëri të ditur se tashmë ka nisur pajisja me të ashtuquajturat kamerat në trup për policët në Shkup dhe Tetovë dhe se policia në autostradë tani punon me kamera të tilla.

“Kur ka kamera shumë më ndryshe sillen policët dhe qytetarët. Procesi i vetëdijes duhet të fillojë qysh në fëmijëri, përmes arsimit dhe edukimit të fëmijëve”, tha Spasovski.

Ministri Spasovski tha se përmes vendosjes së sistemit të këtillë, të gjithë do të jenë të barabartë para ligjeve.