“Është më mirë të qëndrojmë pranë familjeve tona, nuk ka nevojë  të plasim pushkaliqe”,- theksoi një nxënës. 
 
Këto janë porositë e nxënësve të Shkollës Fillore “Tefejus” në Shkup dërguar për festat e fundvitit.
 
Të festosh pa mjete piroteknike do të thotë të mos i nxjerrësh vetes telashe, sepse një dëshirë e tillë për të plasë pushkaliqe shpeshherë din t’ju kushtojë me shëndet.
 
Për këtë arsye, MPB dhe Kryqi i Kuq edhe këtë vit organizojnë fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve për pasojat dhe rreziqet që mund të merren nga përdorimi i mjeteve piroteknike dhe bënë ushtrime me nxënësit e kësaj shkolle se si mund ta mbrojnë vetën nga mjetet piroteknike.
 
“Qëllimi kryesor i kësaj fushate është  ngritja e sigurisë së  qytetarëve, në veçanti e të miturve, për rreziqet nga përdorimi i mjeteve piroteknike dhe zvogëlimi i përdorimit të tyre”,- tha Biljana Milevska nga SPB.  
 
“Kemi punuar me nxënësit dhe prindërit në këtë shkollë për t’i vetëdijesuar për rreziqet që mund t’i marrin fëmijët e mitur gjatë përdorimit të pushkaliqeve”,- theksoi defektologja e Sh. F. “Tefejus”, Senada Hot.
 
Në të kaluarën shumë fëmijë janë lënduar rëndë me pasoja afatgjate për shëndetin e tyre, duke mos përjashtuar edhe invaliditetin e ekstremiteteve. 
 
“Ekipet e Kryqit të Kuq shpeshherë i japin ndihmë personave të lënduar nga mjetet shpërthyese. Kjo gjithmonë ndodh deri më 9 janar”,- u shpreh Argjend Çilaf nga Kryqi i Kuq.
 
Autoritetet e MPB-së u apelojnë të rinjve që gjatë festave të fundvitit të kenë kujdes maksimal, ndërsa prindërit të shtojnë kontrollin ndaj fëmijëve të tyre.
 
Dënimet për përdorimin e tyre lëvizin prej 500 deri më 800 euro për personat fizik ose juridik që shet në mënyrë jolegale mjete piroteknike.