Avokatët e Sead Koçanit tentojnë të dëshmojnë se Sead Koçan është i sëmurë rëndë dhe nuk mund të shkojë në paraburgim. Në shqyrtimin në gjykatë që zgjati tre orë, u prezantua raporti i tij mjekësor dhe vërejtjet e Gjykatës Supreme se ku theksohen gjoja shkeljet ligjore kur është shqiptuar fillimisht paraburgimi për Koçanin. Gjendjen shëndetësore madje avokati Nikolla Dodevski,e përdori edhe si arsye të Koçanit për të mos u kthyer në Maqedoni tashmë dy muaj me radhë. Ai nuk pranonte që klienti i tij të quhet i arratisur pasi siç tha, ai është larguar nga Maqedonia pa e ditur se ndaj tij ka fletëarrest.

“Sead Koçan është në një gjendje të rëndë shëndetësore…Gjendja e tij shëndetësore ishte arsyeja e vetme përse ai nuk është kthyer në Maqedoni…Kur Seadi shkoi në udhëtim zyrtar nuk kishte vendim për paraburgim e as fletëarrest. Gjykata Supreme u shpjegoi se gjithçka më tej ka qenë antiligjore. Askush nuk është në arrati nëse nuk ekziston një vendim për paraburgim”, ka deklaruar

Nikolla Dodevski, avokat.

Dodevski nuk tregoi se përse Koçan nuk është kthyer më herët në Maqedoni kur e ka kuptuar se ka fletëarrest, në qoftë se nuk ka patur qëllim që të ikë. Por çdo tentativë për të bërë pyetje, avokati Dodevski e quante si një “hajkë” kolektive ndaj klientëve të tij.

Dokumentacioni mjekësor nuk është ishte i bindshëm për Prokurorët e Speciales. Gavrill Bubevski ka kërkuar nga gjykata që të thirret mjeku që e ka shkruar raportin për të dëshmuar lidhur me gjendjen shëndetësore, por gjykata e ka refuzuar këtë kërkesë.

“Kjo situatë juridike është e rregulluar me Ligjin për Procedurë Penale. Kur shqiptohet paraburgimi, kjo masë menjëherë duhet zbatuar…Në këtë moment, sipas meje, pasi nuk i di rrethanat e gjendjes së tij shëndetësore, por edhe Prokuroria Speciale besoj se do të ankohet ndaj një vendimi të tillë për burgim shtëpiak. Na u prezantua vetëm një raport i thatë nga i cili nuk mund të jap kualifikim të saktë, nga aspekti human të paktën, se a është ky person për paraburgim ose jo”, u shpreh Gavrill Bubevski, prokuror.

Vendimin e Gjykatës Supreme me të cilin u shfuqizua paraburgimi, Bubevski e quajti si një shkelje dramatike e principeve dhe ligjeve kushtetuese. Deri në fund të ditës do duhet të merret vendimi për paraburgim ose jo të Sead Koçanit i dyshuari i parë në rastin “Trust” për krim financiar prej 17 milionë eurove./SHENJA/

Specialja dyshon tek raporti mjekësor për Sead… by tvshenjaofficial