Shkruan: Arben LLALLA

Prej kaq kohësh që kur reforma për drejtë u votua nga 140 deputetë shqiptar mediat janë marrë me thashetheme për qeveri teknike, për prishje të kualicionit PS dhe LSI. Por socialistët e PS dhe LSI janë mjeshtra për spektakle duke e zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga korrupsioni e varfëria tek thashethemet për prishje të kualicionit dhe rënien e qeverisë Rama. E vërteta është se s’do të ketë prishje të qeverisë, as dalje të LSI nga qeveria deri në qershor 2017, sepse askujt nga deputetë socialistë PS dhe LSI nuk u intereson një prishje e tillë apo zgjedhje të parakohshme sepse shumë nga këta deputetë të sotëm nuk do jenë më deputetë duke humbur privilegjet shtetërore që i ofron posti i përfaqësuesit të popullit. Dua ta këshilloj PD që mos të ushqejë opinionin se do ketë qeveri teknike apo një kualicion në të ardhmen PD me LSI.

As në ëndërr nuk duhet askush të imagjinojë një prishje të PS me LSI dhe jo më ta mendoj se në të ardhmen do ketë një qeveri të sigurt të PD me LSI, shkuan ato kohëra të vështira për Metën dhe LSI ku me zorr ekzistonin në opozitë. Ashtu siç kanë thënë pleqtë dikur dhe ne sot u themi Fjalë të Urta, duhet të kemi parasysh se shqiptari kur kalon lumi, thotë: Të dhjefsha Kalin. Në këtë rast Ilir Meta dhe LSI pasi kaluan lumin 2009-2013 e përshëndetën përfundimisht PD dhe Sali Berishën në Prill të 2013 dhe s’kanë ndërmend të kthejnë kokën më pas për martesën e imponuar më 2009 me shkues të cilët politikisht kanë vdekur sot.

Takimet për kafe dhe dreka të Metës me Koçon, ky i fundit me Tomën apo edhe me ndonjë tjetër janë normale për politikanët shqiptar të cilët herë pas here shahen me libër shtëpie me njeri-tjetrin dhe në ditët e vështira kur duhet të mbushin xhepat me mijëra euro përqafohen dhe bëjnë selfie. Kujtoni dikur Meta çfarë i ka thënë Topallit, Meta-Ramës dhe së fundi Lad Kosta-Ramës dhe Arben Ahmetaj, në mbrëmje të gjithë janë të lumtur për atë selfien e famshme.

Spektakli Socialistë PS-LSI do vazhdojë më tej në shtator në zgjedhjet e parakohshme për kryetarin e bashkisë së Peshkopisë, ku PD me militantët e tyre do dëshpërohen tej mase kur do shikojnë vallen dorë për dore për të rifituar këtë bashki përsëri koalicioni i majtë.

Fatkeqësia e popullit shqiptar është se shumica e deputetëve, ministrave, kryetarëve të bashkive, gjyqtarëve, prokurorëve dhe shumë drejtues të lartë të shtetit janë nga i njëjti rreth, vijnë nga tarafet fisnore prandaj SHBA dhe BE ngulmojnë me aq ngulm për realizimin në praktikë të Reformës në Drejtësi që të shkatërrojnë njëherë e përgjithmonë këtë grup mafiozësh shtetëror që kontrollojnë me injorantët e familjeve të tyre çdo strukturë shtetërore, çdo qelizë të shqiptarëve duke na lënë në errësirë, në varfëri të tejskajshme, duke na zhveshur nga çdo gjë njerëzore. Për fat të keq ky grup mafiozësh farefisnor pushtetar na kanë shitur edhe interesat kombëtare, e kanë zhveshur shqiptarin nga kulti i traditës së ndershme të familjes.

Faji për gjendjen e rëndë ekonomike, politike dhe kombëtare në Shqipëri prej 25 vitesh bie vetëm mbi një grusht njerëzish me një gjysmë diplome në xhep, që godasin të tjerët me shkopin e ligjit të korruptuar dhe që një ditë zbatimi i Reformës për Drejtësi të sapo votuar do t’ua hajë kokën njëri pas tjetrit. Shpresa vdes e fundit, nëse nuk ke shpresa do të thotë se je i vdekur.