Spital apo “depo duhani” koridoret e qendrës klinike të ngulfatura nga bërllogu

Korridoret e disa reparteve të Qendrës Klinike  “Nënë Terezë” janë të mbushur me filtra të cigareve, rrjetës së merimangës dhe papastërtisë. Kështu dëshmojnë videot amatore të dërguara nga qytetarët të cilët janë të hospitalizuar në këtë spital. Në këto pamje amatore shfaqen pacientë duke pirë duhan në korridor. E sipas tyre, të njëjtën gjë e bëjnë edhe mjekët.

“Po këtu pimë cigare, por edhe mjekët e pinë këtu cigare, nuk dalim jashtë”, u shpreh një pacient.

Ministria e Shëndetësisë thonë se kompetencat për këtë kanë vetëm drejtorët e reparteve. Drejtori i Qendrës së emergjencës, Rexhep Selmani nuk iu përgjigj pyetjeve se pse është kjo gjendje e tillë në spitalin ku ai e drejton. Ndërsa drejtori i Toksikologjisë, Nikolla Tashev nuk pranoi të deklarohet para kamerës, por përmes telefonit theksoi se gjendja në spital është ne gjendje të mirë.

“Nuk ka gjëra të tilla. Kushtet janë të mira”, theksoi Nikolla Tashev, drejtori i Toksikologjisë.

Gjendja e tillë në repartet e klinikave është raportuar edhe më parë, ndërsa hiç më mirë nuk është edhe Klinika e Dermatologjisë, xhamat e së cilës janë të thyer. Edhe korridori i kësaj klinike është tejet i papastër, me mure dhe tavan të çarë.

Ministria e Shëndetësisë në fund të vitit të kaluar shpalosi projektin për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Klinike, me një investim të përgjithshëm prej 128 milionë euro.  Sipas ministrit Nikolla Todorov punimet duhet të fillonin gjatë këtyre muajve dhe të përfundonin në vitin 2021.

Në Qendrën Klinike në Shkup çdo vit trajtohen mbi 75 mijë pacientë, ndërsa çdo ditë kryhen rreth 27 mijë shërbime mjekësore për pacientët.