Ka një dalldi apo më korrekt të thuhet frenezi propogande të rusëve në mediat e tyre, kundër shqiptarëve ditët e fundit.

Vetë Sputnik, portal i Kremlinit, në edicionin e saj ballkanik në gjuhën serbe, “bombardon” opinionin me të paktën 15 shkrime në ditë duke iu rikthyer frymës së “kohës së qepës” për rrezikun e shqiptarëve që duan të pushtojnë të gjithë Ballkanin.

Brankica Ristiç, një nga gazetaret kryesore të portalit, që në llogarinë e saj në twitter shpërndan thuajse të gjitha postimet e Vojislav Sheshelit, është e re në moshë, por i është dhënë pesha të bëjë “analiza”.

Analiza u thënçin, por gjithsesi ato janë në ballinë të Sputnikut.

Mbrëmë ajo kishte marrë në intervistë Kapllan Rezulin, një shkrimtar i lajthitur që ka pranuar hapur që ka qenë agjent i UDB-së dhe ka thënë gjishashtu se nuk është shqiptar por serb.

Resuli, në intervistën për Sputnik i frikëson rusët se “shqiptarët tani kërkojnë Ballkanin, por nesër do të marrin Europën”. Dhe më pas shton se “shqiptarët nuk janë autoktonë por i ka sjellë rusi në mesjetë”, e broçkulla që Sputnik i ka lënë si hapësirë plot një faqe të madhe.

Po ashtu dje, aty kishte një shkrim sërish të Brankica Ristiçit, e cila thekson se shqiptarët do të hartojnë një platformë të njëjtë si në Maqedoni edhe për Serbinë, duke ju referuar Preshevës.

Duke marrë shkas nga vizita e Presidentit Bujar Nishani në Bujanoc, Ristiç thotë se “Nishani po shpall platformën e Shqipërisë së Madhe”.

Ja ç’shkruan më tej Sputnik:

“Kushtetuta e Shqipërisë shkruan të bardhën në të zezë se do të mbrojë të gjitha të drejtat e shqiptarëve jashtë territorit’, ka thënë për Sputnik Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve, me rastin e ardhjes së Presidentit Shqipërisë në Serbinë jugore.

Pas të ashtuquajturës “platformë tiranase” ku Edi Rama bashkoi shqiptarët e Maqedonisë, dhe mbështetjes së Thaçit që në kohën e luftës, më 7 mars Luginën e Preshevës e viziton Presidenti i Shqipërisë Bujar Noshani, në përpjekje për një lëvizje të re.

Kjo është vizita e parë e kreut shqiptar të shtetit në Serbi, pas 69 vjetësh. Në vitin 1948, presidenti i fundit që vizitoi Serbinë ishte Enver Hoxha”.

Në fakt këtu Sputnik ja mbyt kot, pasi Enver Hoxha nuk ka qenë president por Sekretar i Parë i PPSH dhe Kryeministër, ndërsa vizita e Nishanit është e para si president.

Megjithatë, ngaqë Edi Rama e ka vizituar tre herë Beogradin dhe tashmë akulli është thyer me kohë, aspekti simbolik nuk qëndron më.

Është e rëndësishme të thuhet se ditët e fundit sidomos pas mbështetjes së fortë që i bën Gruevskit, Sputnik dhe mediat e tjera ruse kanë nisur një propagandë të fortë kundër shqiptarëve.