Protestat e sotme në Stamboll kanë përfunduar në përleshje të demonstruesve me policinë turke. Nga autoritetet është përdorur gaz lotsjellës dhe ujë, për të ndaluar turmën e protestuesve që po marshonte drejt zyrave të gazetës opozitare Cumhuriyet, stafi i së cilës u arrestua më herët.

Protestat në qendër të Stambollit erdhën vetëm pak orë pasi autoritetet turke arrestuan zyrtarisht edhe 9 anëtarë të redaksisë së gazetës dhe njëkohësisht edhe disa zyrtarë pro-kurde, ngjarje kjo që ka shkaktuar reagime nga perëndimi.

Gjatë ditës së premte u arrestuan dy drejtues të partisë kurde në opozitë. Më herët, edhe aeroporti i Stambollit është përfshirë nga momente paniku pasi autoritetet atje lëshuan një alarm sigurie. Ngjarja erdhi pasi dy persona që ndodheshin në hyrje të aeroportit në një motoçiklete, nuk ndaluan pas thirrjes së policisë.

Sipas të dhënave, njëri prej dy burrave është plagosur, pas të shtënave të efektive turk. Ende nuk dihet pse policia u ka kërkuar dy burrave që të ndalojnë, ndërkohë që u bë e ditur se fluturimet nga aeroporti Ataturk i Stambollit nuk janë ndikuar nga ngjarja./ fol.mk