Neto-paga mesatare mujore e paguar për të punësuar në Maqedoni në tetor të këtij vitit arrin 22 mije e 460 denarë dhe është për 1,1 përqind më e lartë në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Rritje ka shënuar edhe Bruto-paga mesatare, e cila është 33.023 denarë, apo për 1,3 përqind më e lartë se sa në tetor të vitit 2015. Por kjo rritje nuk është ndier në xhepin e qytetarëve. Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se rroga e tyre nuk u mjafton për ta mbuluar as nevojat themelore të cilat ato I kanë. Sipas tyre shpenzimet janë më të larta në krahasim me të ardhurat që I kanë ata. 

“Rrogat nuk mjaftojnë, një familje katër anëtarshe ndër 500 euro nuk mundesh me kalu muajin e sidomos tani harxhimet janë më të mëdha, është dimër apo tani edhe festae vitit të ri.”

“Nuk mjaftojnë, besoj që edhe tek asnjëri. Rroga harxhohet për dy javë” 

“Jo, edhe mund të them se asnjërit këtu në Maqedoni nuk I mjafton rroga. Rrogat janë shumë të vogla ndërsa çmimet vetëm po shkojnë duke u rritur” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.

Rritja e neto-pagës mesatare të paguar për të punësuar, në raport me muajin paraprak, është shënuar në sektorët e Ndërtimtarisë 7,5 përqind, Veprimtarive administrative dhe ndihmës shërbyese për 5,8 përqind, Objekteve për akomodim dhe veprimtarive shërbyese me ushqim për 5,6 përqind. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, rritja e neto-pagës vjen falë pagës më të lartë të paguar në sektorin e Ndërtimtarisë për 6,4 përqind, Veprimtarive administrative dhe atyre ndihmës shërbyese për 5,8 përqind dhe Objekteve për akomodim dhe veprimtarive shërbyese me ushqim 5,7 përqind