Katër nga qytetet më të mëdha të botës kanë vendosur të ndjekin modelin e Tokios, duke ndaluar përdorimin e makinave me naftë dhe kamionëve nga mesi i dekadës së ardhshme.

Kryetarët e bashkive të Parisit, Meksikos, Madridit dhe Athinës thonë se masa është vendosur vetëm për të përmirësuar cilësinë e ajrit. Sipas tyre, ky është edhe një stimul shumë i mirë për të lënë mënjanë veturat dhe për t’i zëvendësuar ato me biçikleta apo me ecje në këmbë. Ishin dashur 2 vjet bisedime në Spanjë për të dakortësuar një masë të tillë.

Studimet e fundit tregojnë një ndikim të frikshëm të karburantit në cilësinë e ajrit. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rreth tre milionë vdekje çdo vit janë të lidhura me ndotjen e tij.  Motorët kontribuojnë në këtë problem në dy mënyra kryesore: përmes prodhimit të grimcave PM dhe oksideve të azotit. Ato arrijnë që të depërtojnë në mushkëri dhe kështu janë faktor kyç në sëmundjet kardiovaskulare.

Oksidet e azotit po ashtu krijojnë shtresa ajri që mund të përkeqësojnë vështirësi në frymëmarrje, madje edhe për njerëzit që nuk kanë patur ndonjëherë probleme të tilla shëndetësore. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, aktivistët kohët e fundit ia kanë dalë mbanë duke detyruar qeverinë të veprojë sa më shpejt. Ndërkaq, po merren masa edhe për të rregulluar trafikun, si edhe për të vendosur norma të reja shpejtësie lëvizjeje.

Ndërsa automjetet e regjistruara para vitit 1997 tashmë janë ndaluar të hyjnë në shume qytete kryesore të Europës.