Nga:Prof. Abdulla Mehmeti

Nuk duhet të ngatërrohen idetë e vjetruara për ndarjen e Kosovë dhe shkëmbimi i përfolur i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, me konceptin e ndryshimit apo mosndryshimit të kufijve mes shteteve sovrane në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në frymën e integrimeve globale, si proces i natyrshëm për korrigjimin e padrejtësive historike mes popujve dhe shteteve të rajonit ballkanik, të trashëguara nga e kaluara.

Një pjesë e politikanëve, pushtetarëve, studiuesve, analistëve dhe mediave shqiptare, njëherësh i bien telit të bashkimit kombëtar të shqiptarëve edhe idesë për mosndryshimin e kufijve ekzistues mes shteteve ballkanike, duke e përjashtuar kështu edhe dialektikën e zhvillimeve shoqërore e politike, faktet se gjithçka që është krijuar në rrethana të caktuara gjatë historisë edhe mund të ndryshohet sipas po atyre parimeve.

Përveç kësaj, ngatërrohen idetë për ndryshimin e mundshëm të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, me idenë armiqësore për ndarjen e Kosovës dhe atë për shkëmbimin e territoreve mes këtyre dy shteteve, të cilat në vete përbëjnë ide, koncepte, teza dhe projekte politike krejtësisht të ndryshme.

Ideja për ndryshimin e kufijve mes shteteve të rajonit mund të jetë ide e rrizikshme në rrethanat aktuale, që lidhet dhe kushtëzohet nga çështje globale gjeopolitike, gjeostrategjike dhe të sigurisë ndërkombëtare, por në perspektivë kjo ide mund të jetë e dobishme, nëse i ndihmon forcimit të paqes, sigurisë ndërkombëtare dhe progresit të përgjithshëm të popujve dhe shteteve të rajonit, ndërsa ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe ideja për ndarjen territorit të Kosovës janë projekte politike të tejkaluara, të përgatitura nga kuzhinat sllave dhe qarqet shoviniste serbe, të përhapura në opinion përmes propagandës së tyre, të afishuara fatkeqësisht edhe nga disa qarqe politike dhe media shqiptare, të painformuara, të manipuluara apo si megafonë në shërbim të politikave, strategjisë dhe synimeve hegjemoniste sllave në rajon.

Këto ide nuk janë të njëjta dhe as të ngjashme, si të tilla as nuk trajtohen, diskutohen, elaborohen dhe shpjegohen drejtë, nga pjesa më e madhe e faktorit politik të brendshëm edhe atij të jashtëm, nga politikanët, studiuesit, analistët dhe mediat shqiptare, më tepër nga mosdija, mosnjohja e thelbit të problemeve, të trashëguara nga e kaluara, mes shteteve dhe popujve të rajonit.

Pa pasur nevojë për analiza dhe shpjegime të hollësishme, çështja e tejkaluar për ndarjen e Kosovës dhe çështja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete sovrane fqinje, nuk duhet asnjëherë të ngatërrohen me çështjen e ndryshimit të kufijve mes shteteve të rajonit, apo kudo në botë, ku ka nevojë për korrigjimin e padrejtësive historike të trashëguara nga e kaluara.

Mbrojtja me kaq fanatizëm e mosndryshimit të kufijve është shkurtpamësi politike dhe ide tepër naive për vetë faktin se vetëm gjatë shekullit të fundit këta kufij janë ndryshuar disa herë, edhe atë në dëm të territoreve etnike shqiptare, prandaj, ngatërrimi i ideve për ndryshimin e kufijve me ndarjen dhe shkëmbin e territoreve mes shteteve fqinje të rajonit, përbën propagandën më perfide të cilën fatkeqësisht e ndihmojnë edhe disa politikanë, analistë dhe media shqiptare, duke u vënë kështu, me apo pa dashje, në shërbim në interesave të huaja strategjike, duke e dëmtuar thelbin e çështjes së pazgjidhur shqiptare në rajon.

Është fakt se aktualisht nuk do të ketë ndryshim të kufijve mes shteteve të rajonit, por nga faktori ndërkombëtar do të imponohet një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke dhe pa kusht mes këtyre dy shtete sovrane, duke i varrosur njëherë e përgjithmonë idetë për ndarjen e Kosovë dhe shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Këta kufij asnjëherë nuk kanë qenë të njohur ndërkombëtarisht si kufij të jashtëm shteti, por si kufij administrativ të mbrendshëm mes njësive të ish federatës së Jugosllavisë, të cilët pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga pjesa më e madhe e shteteve fqinje dhe shteteve më të fuqishme të botës, si dhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me çështjen e Pavarësisë së Koovës, kufijtë e shtetit të Kosovës janë të pacënueshëm, sipas të drejtës ndërkombëtare.

Kështu, me tejkalimin e problemeve ekzistuese dhe normalizimin e plotë të marrëdhënie fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë, do të shuhen përgjithmonë idetë për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve mes këtyre dy shteteve, por me këtë nuk do të shuhet edhe ideja e ndryshimit të kufijve mes shteteve të rajonit dhe mes shteteve të tjera kudo në botë, të cilat janë çështje ndërkombëtare, jo çështje bilaterale mes dy shteteve fqinje, siç është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shteteve të pavarura dhe sovrane, si çështje e ngatërruar dhe problematizur pa nevojë nën ndikimin e propagandës së fuqishme të përhapur nga Beogradi zyrtar. Bashkë me këtë, edhe çështje e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, pavarësisht nga rrethanat, dinamika dhe format e realizimit të tij, me shuarjen e dy ideve të para do të merr edhe më tepër fuqi e hov, sepse kjo asgjë nuk ka të përbashkët me dy idetë e para, por është çështje e pazgjidhur kombëtare e shqiptarëve, e cila frymon me lëvizjet e mëdha globale, mes intereseve gjeopolitike dhe gjeostrategjike të shteteve të fuqishme të botës, me ndarjen e re të sferave të interesit, kryesisht mes SHBA, BE dhe Rusisë.

Përfundimisht, ideja anakronike, e tejkaluar, shoviniste dhe ekspansioniste për ndarjen e Kosovës dhe ideja e shkëmbimit të territoreve (etnike shqiptare) mes Kosovës dhe Serbisë asgjë nuk kanë të përbashkët dhe nuk duhet të lidhen me idenë për ndryshimin e kufijve mes shteteve të Ballkanit Perëndimor (Gadishullit Ilirik), si dhe me idenë e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, si proces i natyrshëm, jo për shkak të ndryshimit të raporteve mes fuqive të mëdha në rajon, por si domosdoshmëri e korrigjimit të padrejtësive historike mbi popullin shqiptar dhe trojet e tij etnike.

Territoret etnike me shumicë të popullsisë shqiptare, në Mal të Zi, Sanxhak, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, aktualisht nuk janë pjesë të territorit shtetëror të Kosovës, që para tri dekadave kanë qenë në një korrnizë të përbashkët territori shtetëror, si pjesë të ish federatës jugosllave. Si e tillë, çështja e kufijve edhe në të ardhmen mund të trajtohet dhe zgjidhet përmes ndonjë forme të re, si zgjidhje më e logjikshme se ndarja e njësive të dikurshme të ish Federatës së Jugosllavisë, pa e cënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare me këtë.

Epoka e re dhe proceset e globalizmit vetvetiu i tejkalojnë idetë dhe konceptet e vjetruara nacionalshoviniste të popujve dhe tendencat ekspansioniste të shteteve të rajonit ndaj njëri-tjetrit, me krijimin e marrëdhënieve më demokratike, humane dhe qytetëruese mes tyre, nëse synojnë një botë të re pa dallime mes njerëzve dhe popujve, pa shtypje, diskriminim e shfrytëzim; në paqe, harmoni, mirëbesim dhe progres të përgjithshëm, siç u garantohet këtyre shteteve dhe popujve me procesin e integrimeve euroatlantike.

 

(4 shtator 2019)