Hulumtuesit anglezë kanë krahasuar peshën trupore me nivelet e stresit tek më shumë se 2.500 burra dhe gra më të vjetër se 54 vjet, të cilët morën pjesë në një studim për të kuptuarit e plakjes.
 

Studimi i publikuar në revistën Obesity tregoi se stresi ndikon në trashje dhe dobësim. Shkencëtarët kontrolluan sasinë e hormonit të stresit i njohur me emrin kortizol, dhe i cili gjendet në flokë.

“Në flokë gjetëm nivelin e kortizolit që ndikon në mënyrë të konsiderueshme në perimetrin më të madh të belit dhe indeks më të lartë të masës trupore. Këto rezultate treguan se stresi kronik është i lidhur me obezitetin”, ka thënë autorja e sondazhit, Sara Jackson.

Kortizoli është hormon që tajohet në gjëndrat mbiveshkore, ndërsa gjatë kohës së stresit lëshohet në qarkullimin e gjakut. Përveç luftimit të inflamacionit dhe rregullimit të presionit të gjakut, kortizoli ndihmon mbajtjen e nivelit të sheqerit në gjak. Me lirimin e kortizolit aktivizohen receptorët të cilët janë të vendosur dendur në indet e organeve të brendshme dhjamore që rrethon organet e njeriut, gjë që shpjegon lidhjen me fitimin dhe humbjen e peshës. Zakonisht testohet nëpërmjet gjakut, urinës dhe pështymës, por kjo tregon vetëm rezultatet momentale.

“Niveli i kortizolit ndryshon gjatë ditës, në varësi të kohë, nga ajo që ju hani, situatat e papritura stresuese dhe madje edhe sëmundjet. Prandaj, gjaku, urina dhe pështyma nuk mund të tregojnë gjendjen reale kur bëhet fjalë për stresin afatgjatë”, ka thënë Jackson.