„Së pari, trimat e LSDM-së me vrap dhe duke qarë vraponin te të gjitha ambasadat e mundshme në vend.  Menjëherë që në çastin e parë. Pastaj, njëri nga ambasadorët, duke pasur qejf të bëjë politikë në Twitter do të shkruante ndonjë mesazh në Twitter dhe do të kërkonin takim të menjëhershëm për gjysmë ore tek unë. Kur jemi te PPS-ja dhe kriza, para pak kohe, nga zoti Ahmeti kuptuam se PPS u dashka të funksionojë deri sa Maqedonia të hyjë në NATO, kështu tha njeriu, doli dhe tha “PPS duhet të funksionojë deri sa Maqedonia të hyjë në NATO”, tha Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO-DPMNE.

 Retorika e ngjashme e liderëve të VMRO-DPMNE-së dhe të BDI-së do të vazhdojë deri në zgjedhje, shprehet komunikologu Xhenis Sulimani. Sipas tij, retorika e këtillë, tregon frikën e këtyre partive nga Prokuroria Speciale,  sepse këto dy parti  janë më së shumti të prekura për shkak aktiviteteve kriminale të tyre.

 

Sipas Sulimanit, fakti që VMRO-DPMNE dhe BDI ende nuk i kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë, tregon se këto parti do të taktizojnë dhe listat do t’i publikojnë ditën e fundit. Përndryshe edhe VMRO-DPMNE-ja edhe BDI-a janë nënshkruese të marrëveshjes për themelimin e PPS, duke premtuar mbështetje për punën e saj. Deputetët e BDI-së në Kuvend votuan për nismën e LSDM-së për mocion votëbesimi ndaj Gjorgje Ivanovit pas vendimit të tij për abolim. Në Kuvend, BDI gjithashtu votoi edhe për vazhdimin e mandatit të PPS.