Trazirat e shumta kanë përfshirë Irakun, ndërsa shpërthimi i 3 bombave i ka marrë jetën të paktën 14 personave.

Pas sulmit fshihej Shteti Islamik, ku militantët kishin vendosur një eksploziv në një makinë të parkuar, duke lënë po ashtu të paktën 30 të plagosur.

Shpërthimet erdhën në ditën ku disa pelegrinë kishin zbarkuar në Bagdad për të nderuar Imamin Moussa Al Kad’him , stërnipin e profetit Muhamed.

Po ashtu, situata në Siri paraqitet e rënduar. Dhuna është përshkallëzuar sërish në qytetin më të madh të Aleppos. Vetëm në 9 ditët e fundit, atje kanë humbur jetën të paktën 250 persona.

Forcat qeveritare të Assadit vijojnë luftimet me forcat rebele, duke kërcënuar planin e brishtë të paqes. Për t’i paraprirë të tjera sulmeve, grupe ndërmjetësuesish nga Amerika dhe Rusia ndodhen ne Gjenevë, ku po zhvillohet tryeza e bisedimeve për Sirinë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u shpreh optimist për ecurinë e procesit të paqes.

“Të dyja palët, opozita dhe forcat qeveritare, kanë kontribuuar në këtë kaos të krijuar në Siri, por ne po punojmë intensivisht për të rritur stabilitetin në vend. Nuk mund të legjitimojmë bisedimet e paqes , kur palët përfaqësuese të Sirisë, të cilat kanë firmosur ujdinë, paralelisht e shkelin atë duke luftuar. Rusia dhe SHBA do të sigurohen që procesi të ecë në rrugën e duhur.  Me fjalë të tjera , ne jemi të përgatitur  një mekanizëm shumë më të mirë për monitorimin dhe kontrollin e një armëpushim të ri , e , por ne kemi nevojë për vullnet politik për këtë”, tha Kerry.

https://youtu.be/M6Md7IuG41Q?t=1