Një nga arsyet, përse incidenti me armë zjarri në zyrat e “YouTube”-it në Kaliforni u përfol shumë, ishte fakti që autorja ishte një femër.
Por, sulmet e armatosura të profilit të lartë në Shtetet e Bashkuara, rrallë herë kryhen nga femra.
Një studim i FBI-së mbi 160 incidentet me të shtëna, nga viti 2000 deri në vitin 2013, tregon se vetëm 6 incidente, ose 3.8 për qind, janë kryer nga një agresore femër. Të gjashta ato kanë përdorur armë dore.
Më vdekjeprurësi nga këto sulme ka qenë në një zyrë postare në Santa Barbara të Kalifornisë, në vitin 2006, me 6 viktima. Në 5 nga këto 6 incidente ishin përfshirë gra, që hapnin zjarr mbi bashkëpunëtorët aktualë apo ish-bashkëpunëtorët në vendet e tyre të punës.
Në përgjithësi, burrat janë më të predispozuar për të kryer sulme sesa gratë. Kur bëhet fjalë për dhunën në familje, sërish me armë, në SHBA gratë janë po ashtu më të predispozuara të jenë viktima, përcjell TCh.
Të paktën 760 amerikanë janë vrarë me armë çdo vit nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët apo partnerët nga viti 2006 deri në 2016-n. Por, burrat janë më të paktë mes viktimave. Gratë, në anën tjetër, janë viktima në 4 nga çdo 5 incidente të tilla.