Me skenare maqedonase sulmohet Muzeu i Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir. Derisa  partitë maqedone VMRO-DPMNE dhe LSDM flasin për skenare të çuditshme dhe sulmojnë kulturën dhe historinë shqiptare, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë duke dënuar sulmin deklaron se ky është një veprim agresiv që vjen nga grupe të vogla me pikëpamje ultra-nacionaliste.

Sërish sulm mbi historinë dhe kulturën  shqiptare në Maqedoni. Muzeu i Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir u bë pre e sulmeve të radhës që për VMRO-DPMNE është një skenar i personave që kanë për qëllim të zhvendosin vëmendjen nga situata aktuale, ndërsa për LSDM-n e Zaevit kemi të bëjmë me skenarë që ka për qëllim të shpëtoj Nikolla Gruevskin.

Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtëme e Shqipërisë duke shprehur keqardhje për ngjarje të tilla  thekson se këto sulme janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme, frika, mungesa e informacionit dhe retorika e dëmshme e kohëve të fundit. Ministria kërkon gjithashtu zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e autorëve.

 Por edhe sulmi mbi muzeun e Alfabetin është përdorur politikisht nga partitë maqedonase. Partia VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit thekson se kujdesi për  historinë dhe kulturën e çdo populli është e drejtë themelore dhe element i rëndësishëm në një shoqëri  multikulturore, siç është edhe Maqedonia. Por VMRO e cilëson ngjarjen një skenar të personave që kanë për qëllim të zhvendosin vëmendjen nga situata aktuale dhe nga problemet që shqetësojnë realisht qytetarët vendas.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i LSDM-së së Zoran Zaevit e cila duke dënuar sulmin ndaj Shtëpisë së Alfabetit thekson se kishte paralajmëruar që dhuna dhe urrejtja e nxitur personalisht nga Nikolla Gruevski dhe e përkrahur nga Gjorgje Ivanov, çojnë në pasoja të dëmshme dhe serioze për qytetarët e Maqedonisë. Çuditërisht edhe partia e Zaevit flet për skenare: “Skenarët që kanë për qëllim të shkaktojnë konflikt dhe përplasje mes qytetarëve dhe të thellojnë krizën politike në Maqedoni, me qëllim shpëtimit të Nikolla Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve nga përgjegjësitë për krimet e bëra nuk do të kenë sukses”