Një autobus me nxënës është sulmuar me armë këtë të premte në Gllogjan të Deçanit në Kosovë.

Tre persona kanë mbetur të vdekur, mes tyre shoferi i autobusit dhe dy nxënës rreth 18 vjeç.

Emrat e viktimave sipas të dhënave paraprake janë shoferi Gani Gjokaj dhe nxënësit Ledjon Hamazi e Ledjana Mustafaj

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodra Nikçi ka konfirmuar për Top Channel se 3 persona kane humbur jetën dhe një tjetër është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Ai tha se prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pas marrjes së informacioneve mediat do të njoftohen.

“Rreth orës 19:00, Policia është njoftuar se në fshatin Gllogjan ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të një autobusi. Me këtë rast, Policia është në dijeni se dy persona kanë pësuar lëndime. Policia është në vend të ngjarjes dhe duke e hetuar rastin”, tha zëdhënësi i Policisë së Pejës, Fadil Gashi.

Nuk dihet ende se cilët kanë qenë atentatorët dhe shkaku i qëllimit me armë drejt autobusit.