Nga: Burhan SEFERI

Thonë se siç është populli, janë edhe udhëheqësit. Nuk e di, a jemi aq njerëz të këqinj, që të poshtërohemi me liderë të tillë të politikës së Maqedonisë.

Super Baba ka retorikë patriotike, me lahutën e Dukagjinit dhe retorikën e Prekazit. Po të mos kishin dalur bombat, retorika e tij do të vazhdonte ta mashtronte patriotin e mjerë, që mendon se “shpëtimtari i shqiptarëve”, është lideri i PDSH-së.

Super Baba, Menduh Thaçi, i cili në debatin e Televizionit 21, më dukej sikur është bërë zëdhënës i BDI-së, e jo i një partie opozitare. Ta dëgjosh Menduh Thaçin, e pastaj tu besosh asaj që flet ai, është nënçmim i inteligjencës, sikur ky popull vuan nga skleroza dhe ka harruar se kush është Super Baba dhe çfarë ka bërë gjatë karrierës së tij politike.

Sinqerisht, në Shkup thonë se si të plakesh, fillon të “lënohesh”, por nuk kam besuar se përpos “lënimit”, paska pleq që po çmenden dhe nuk e dinë çfarë flasin.

Për brenda një ore, ai mori rolin e prokurorit, ekspertit, analistit, gjykatësit, kryeministrit, opozitës, mafiozit, teologut, etj…

Unë nuk jam as i pozitës e as i opozitës. As që më intereson ndonjë parti politike shqiptare, e as që e përkrahi ndonjë prej tyre.

Super Baba, në fillim doli prej PPD-së, pra mbi të ka pasur një “Super-Super Babë” tjetër, i cili koalicionit me VMRO-në, i tha një koalicion tradicional me PDSH-në. Do t’i citoj disa deklarata të tij me demant që t’i tregojmë se nuk vuajmë nga skleroza.

1. Ata për të cilët tha se “i paguan Irani”, Menduh Thaçi ua dha blanko deputetët menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016. Duke u dhënë përkrahje pa kushte.

Sot ai na rikujton Logos-A. Por kjo shtëpi botuese ekziston thuajse 30 vite. Të keshë informacione se një shtëpi botuese është e kriminalizuar për tre dekada e pastaj të heshtësh, e pastaj të dalësh pa fije turpi, duke dëshmuar papërgjeshmëri “në zbatimin e ligjit”, ngase heshtja ndaj krimit, është krim në vete, këtë e bën vetëm Super Baba.

Ja të themi që i paguan Turqia dhe Irani, që duhet të dëshmohet e unë as ndërmend nuk e kam ta bëj një gjë të tillë. Ku jeton Super Baba? Në sistem monist apo në një sistem pluralist? Në shumicën e shteteve demokratike, ja të themi, në Greqi, në zgjedhjet e fundit parlamentare, si parti doli në zgjedhje edhe një parti komuniste, e cila mori një përqindje të vogël votash. Komunizmi është kundër vlerave euro-atlantike, Greqia është një anëtare e Bashkimit Evropian, po askush nuk tha asgjë. Nëse pretendon civilizim evropian, duhesh të mësohesh me njerëz ndryshe, me ideologji ndryshe, me sisteme ndryshe.

Mënyra e të menduarit të tij, është që kundërshtarin e sheh vetëm si një armik që duhet ta shantazhojë, nënçmojë dhe poshtrojë pa asnjë kompromis. Truri i një politikani të tillë, është tru sadisti, tru zullumqari. High medet high, kush e përfaqëson këtë popull.

2. Akuzoi kundërshtarët e tij politik për ekzekutime në rrethin e tij. Ta thuash këtë fjalë e të quhesh Menduh, është turpi i turpeve.

Po a nuk ishte “tentuesi i vrasjes së Ali Ahmetit” një person i afërt i juaj, i cili më pas u dënua me disa vite burg?

Po a nuk ishte Menduh Thaçi ai i cili me polici shkoi në Brodec, duke vrarë disa dhe duke i arrestuar dhjetra të pafajshëm, disa prej tyre vdiqën në burg, e disa e përfunduan burgun duke mos u dëshmuar asnjëherë pafajësia e tyre?

Të gjithë ata që të kanë përkrahur, të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka në mbrojtjen e “fjalëve patriotike tuaja”, sot ose ndjeken penalisht, ose vuajnë dhe kalben burgjeve, ndërkohë që Super Baba del në debate televizive, e duke qenë në qeveri thuajse 3 vite, nuk ka ndërmarrë masa për zbardhjen e rasteve të tyre.

3. Thua se ku është prokuroria? Duke qenë në qeveri pyet ku janë institucionet? Përmende disa politikan që janë të kriminalizuar, deri më tani çfarë paske bërë në qeveri? Cilat kanë qenë përgjegjësitë tuaja?

Dëshiron ta bindësh popullin se vetëm nëpërmjet PDSH-së kthehet kinse “drejtësia”, ndërkohë që po shijon të ardhurat e qeverisë, pa fije ndërgjegje, për fat të keq, në shpinë të popullit. E kritikon qeverinë prej në qeveri?!

Sukseset i gëzoni bashkë, ndërsa për dështimet fajin ua ka tjetër kush?!

4. Pastaj tha se “kjo VMRO, nuk është ajo VMRO që e kam njohur”. Cilën VMRO e ke njohur ti? Atë prej vitit 1998 deri më vitin 2002? Ku kryhej gjenocid ndaj shqiptarëve në Luboten? Apo të vrasjeve të menjëherë pas luftës, ku deri në vitin 2002 u vranë disa komandantë dhe trima dhe asnjë nuk është zbardhur?

Apo VMRO-në e 2006 deri në vitin 2008? Një VMRO shoviniste kundër shqiptarëve, duke arrestuar shqiptarë të pafajshëm e duke i quajtur indian, e duke i fyer me fjalët më të fëlliqura? Bëhu i qartë në deklaratat e tua, ngase çdo ditë e më shumë po bëhesh më qesharak.

Super Baba është i njohur për “ndryshimin e mendjes”, prandaj as mos i merrni seriozisht fjalët e tija. Sa më shumë që e fyen një lider ose parti, nesër dyfish i afrohet.
A i harruat se çfarë ka thënë për LSDM-në, e që sot flet mirë? A e harruat se çfarë ka thënë për BDI-në, e që sot ata ndjehen të rrehatshëm prej tij?

Pasha Zotin, unë nuk e dij çka po ndodhë me këtë popull që ende vrapon pas njerëzve të tillë.